Bujar Nishani, aplikoni për kartat, pavarësisht mosshlyerjes së taksave lokale
Pengesat e bashkisë për pagesat e taksave vendore, reagimi
Synimi i Ministrisë së Brendshme, aplikimi dhe pajisja e shtetasve shqiptarë me këto karta. Punonjësit e zyrës së aplikimeve do punojnë edhe në fundjavë. Apel punonjësve të njësive bashkiake, për të mos penguar pajisjen me certifikata për shkak të taksës vendore, pasi mund të ketë penalizime
Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, deklaroi se çdo qytetar mund të aplikojë për letërnjoftimet elektronike, pavarësisht faktit se ai ende nuk ka shlyer taksat lokale. Ai ka shtuar se nëse punonjësit e gjendjes civile do të kërkojnë pagesat e këtyre taksave dhe pastaj do të japin certifikatat e nevojshme për të aplikuar, atëherë do të merren masa të ashpra deri në pezullimin nga puna. “Asnjë punonjës i zyrave të Gjendjes Civile të mos kushtëzojë dhënien e certifikatës me pagesat e taksave lokale. Në çdo rast që do të identifikohet kjo praktikë, ndaj punonjësit të gjendjes civile do të merret masa administrative e pezullimit nga puna”, - u shpreh Nishani. Synimi i Ministrisë së Brendshme është aplikimi dhe pajisja e shtetasve shqiptarë me këto karta. Për t’i ardhur në ndihmë këtij procesi, sipas burimeve zyrtare, do të punohet edhe në fundjavë. “Zyrat e aplikimit për letërnjoftimin elektronik do të jenë të hapura edhe gjatë ditës së shtunë dhe të diel. Gjatë të gjitha ditëve, zyrat do të punojnë deri në orën 18:00 për t’u dhënë kështu të gjithë mundësinë qytetarëve pa pasaportë për të aplikuar për letërnjoftimin”, - u shpreh ministri. Gjatë ditëve të javës, shumë qytetarë nuk mund të kryejnë procesin e aplikimit, pasi ata janë në punë. Nisur nga ky problem u vendos që të shfrytëzohen ditët e pushimit të tyre, gjatë të shtunave dhe të dielave.
Nishani u ka kërkuar të gjithë personave që të aplikojnë, pasi edhe ulja e çmimeve e përcaktuar nga qeveria për disa kategori, do të jetë e vlefshme deri në fundin e muajit prill. “Do t’u bëj përsëri thirrje qytetarëve që nuk kanë pasaporta për jashtë shtetit të paraqiten sa më parë për të aplikuar, pasi ulja e çmimeve nga qeveria për kategoritë që kemi përcaktuar është e vlefshme deri në fundin e muajit prill, më pas ata nuk do ta përfitojnë uljen dhe të tjerët do të kenë sanksionet që ne kemi parashikuar, që do të thotë se nuk do të marrin asnjë shërbim që u duhet nga zyrat e shtetit”, - vazhdoi ministri.
Vendimi
Sipas vendimit të qeverisë për t’iu ardhur në ndihmë qytetarëve, do të ketë lehtësira për disa kategori. Kështu, për të gjithë ata pensionistë me pension minimal në qytet, dhe të gjithë pensionistët e fshatit që kanë aplikuar apo do të vazhdojnë të aplikojnë deri në datën 1 maj 2009, çmimi do të jetë për kartën 300 lekë. Ndërkohë që për të gjithë studentët dhe qytetarët që përfitojnë ndihmën ekonomike për shkak të punësisë, apo për të gjithë ata të cilët deri më 28 qershor 2009 mbushin 18 vjeç dhe që kanë aplikuar deri tani për letërnjoftimin elektronik apo do të aplikojnë, çmimi do të jetë 200 lekë. Sipas vendimit, “për të gjithë personat para e tetraplegjikë, si dhe për të gjithë të verbrit, letërnjoftimet do të jepen falas dhe do të kompensohen nga qeveria shqiptare”.
Pengesa
Në Tiranë, ku është edhe numri më i madh i aplikuesve, procesi i pajisjes me letërnjoftimet elektronike është ngadalësuar disi, si pasojë e Bashkisë së Tiranës, e cila nuk jep certifikatat e nevojshme për aplikim të qytetarëve, nëse ata nuk kanë paguar taksat lokale. Kështu, një qytetari që nuk disponon një pasaportë, i duhet të paguajë një shumë prej 49 mijë lekësh të vjetra taksë dhe më pas të marrë certifikatën e nevojshme për aplikim. Nga paketa e taksave, Bashkia e Tiranës ka përjashtuar vetëm disa kategori në nevojë. Kështu, përjashtohen nga detyrimet vendore paraplegjikët, tetraplegjikët, të verbrit, invalidët e luftës. Ndërsa njerëzit që marrin ndihmë ekonomike dhe pensionistët, do të paguajnë një tarifë modeste pastrimi, në vlerën 100 lekë në vit. Por, Ministria e Brendshme e cilëson këtë si një procedurë, e cila vonon pajisjen me karta identiteti dhe të qytetarëve, të cilët për një kartë identiteti duhet të paguajnë 49 mijë lekë. Nisur nga kjo situatë e krijuar, ministri Nishani ka deklaruar se çdo person i interesuar nuk do të paguajë asnjë taksë për të marrë certifikatat dhe se për çdo punonjës në gjendjet civile që nuk do ta zbatojë këtë urdhër, do të merren masa të ashpra deri në pezullimin nga puna.