E Shtunë, 31 Tetor 2026

Alberto Perduca, për akuzat e Del Ponte-s: Duhen fakte të vlefshme për të hapur një procedim



Alibeaj takon shefin e EULEX-it, Kermabon

Shefi i EULEX-it, Misionit Evropian për Drejtësi dhe Polici, Yves de Kermabon, u takua dje me ministrin e Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj. Në takim mori pjesë edhe kreu i komponentit të Drejtësisë, Alberto Perduca, si dhe zyrtarë të lartë të EULEX-it në Kosovë. z. Yves de Kermabon, i cili tha se e konsideronte këtë vizitë pune në Shqipëri si shumë të rëndësishme për sa i përket diskutimit dhe shkëmbimit të përvojës në tre komponentë: drejtësi, polici dhe dogana. Në takim u diskutuan çështje teknike të interesit të përbashkët, si dhe vendosje e urave të bashkëpunimit mes misionit EULEX dhe Ministrisë së Drejtësisë në lidhje me çështjet dypalëshe, si ato të transferimit apo ekstradimit të personave që kërkohen në të dyja anët e kufirit. Ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, u shpreh i gatshëm për të kontribuar me qëllim që ndihma e ndërsjelltë në fushën e bashkëpunimit ndërgjyqësor të jetë e shpejtë dhe efikase. “Dëshiroj të theksoj se jemi të hapur për një bashkëpunim të gjerë nëpërmjet nënshkrimit të marrëveshjeve bilateriale apo mënyrave të tjera. Po punohet për hartimin e një ligji për bashkëpunimin juridik ndërkombëtar, të cilin jemi të gatshëm t’ua japim për model institucioneve të Kosovës”. Gjatë takimit zyrtar mes palëve nuk u diskutua rreth pretendimeve të palës serbe për krime të kryera ndaj civilëve shqiptarë dhe serbë nga pjesëtarë të ish-UÇK-së gjatë konfliktit në Kosovë. Por, pas takimit, shefi i Misionit të Bashkimit Evropian për Drejtësi dhe Rregull në Kosovë (EULEX), Yves de Kermabon, iu përgjigj interesit të medias në lidhje me akuzat e ngritura nga ish- Kryeprokurorja e Hagës, Carla del Ponte, për trafik organesh të qenieve njerëzore gjatë kohës së luftës në vitin 1999 në Kosovë. "Jemi të gatshëm të hedhim dritë mbi fakte të tilla nëse ato ekzistojnë”, – tha shefi i Misionit të EULEX-it. Më pas për këtë çështje të ngritur nga shtypi, z. Alberto Perduca, drejtues i komponentit të drejtësisë të EULEX-it, deklaroi: “Për sa i takon hapjes së çështjes, duhet të studiohen faktet. Së pari, duhet të shihet nëse këto fakte janë të vlefshme për të hapur një procedim. Ne në Kosovë jemi në këtë pikë”.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›