USAID,publikohet vëllimi IV i indeksit të reformës gjyqësore për Shqipërinë
Nisma e Shtetit Ligjor e Organizatës së Juristëve Amerikanë (ABA ROLI) me mbështetjen e Ambasadës Amerikane me anë të Agjencisë për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara (USAID), publikoi Vëllimin IV të Indeksit të Reformës Gjyqësore për Shqipërinë, në një aktivitet të organizuar në Shkollën e Magjistraturës në Tiranë. Drejtoresha e Misionit të USAID-it në Shqipëri, Roberta Mahoney, në fjalën e saj të rastit të mbajtur në këtë ceremoni tha: “Një gjyqësor i fortë, është çelësi për një sukses afatgjatë të Shqipërisë. Qeveria e Shteteve të Bashkuara është e angazhuar me vendosmëri për të zhvilluar në Shqipëri një sistem gjyqësor efektiv, të paanshëm dhe demokratik”. Mahoney inkurajoi juristët të përdorin këtë vlerësim për të ndërtuar një sistem gjyqësor transparent dhe të drejtë, të përbërë nga profesionistë të udhëhequr nga parimet e integritetit dhe pavarësisë. Ajo nënvizoi gjithashtu rëndësinë që kanë reformat në sektorin gjyqësor për investimet e huaja të drejtpërdrejta dhe reformat në administratën publike të Shqipërisë. Indeksi i Reformës Gjyqësore (IRGJ) është një mjet vlerësimi i zbatuar nga ABA ROLI që merr në konsideratë një tërësi faktorësh të rëndësishëm për reformën gjyqësore në demokracitë në zhvillim. IRGJ-ja ka për qëllim të ndihmojë organizatat ndërkombëtare, donatorët dhe partnerët vendorë për të orientuar më mirë programet e reformës gjyqësore nëpërmjet krijimit të një njësie matëse të ndikimit të tyre. IRGJ-ja shërben gjithashtu edhe si një mjet për të përmirësuar zbatimin e programeve dhe për të monitoruar përparimin drejt krijimit në vend të një gjyqësori të përgjegjshëm, efektiv dhe të pavarur. IRGJ-ja për Shqipërinë, shqyrton gjyqësorin e Shqipërisë nëpërmjet një prizmi prej 30 faktorësh, të cilët reflektojnë karakteristikat më themelore të sistemeve gjyqësore të suksesshme. IRGJ-ja shqyrton çështje të tilla si: arsimimi gjyqësor, kualifikimet dhe procedurat e emërimit të gjyqtarëve; pavarësia dhe transparenca e vendimeve gjyqësore dhe e pushteteve gjyqësore; çështjet e buxhetit dhe çështjet e shpërblimit; mbajtja e procesverbaleve gjyqësore; mjaftueshmëria e personelit dhe e ambienteve të gjykatave; aksesi në ligje dhe informacione të tjera ligjore; etika; disiplina; dhe vetëqeverisja. ABA ROLI ka hartuar më parë Indeksin e Reformës Gjyqësore për Shqipërinë në vitet 2001, 2004 dhe 2006.