Bujar Nishani rikthehet tek Ministria e Brendshme – dekreti pritet të marrë miratimin e Parlamentit

Ministri i Drejtësisë Bujar Nishani do të lerë këtë post për t’u emëruar ministër i Brendshëm. Vendimi ka ardhur dje nga kryeministri Sali Berisha, i cili me përzgjedhjen e z.Nishani, i jep fund vakumit në Ministrinë e Brendshme. Edhe pse nuk janë bërë të ditur emrat që do të zënë përkatësisht ministrinë e Drejtësisë dhe atë të Kulturës Rinisë dhe Sporteve, propozimi i kryeministrit për z.Nishani mbërriti që dje në Presidencë, ku dhe u firmos dekreti nga kreu i shtetit, Bamir Topi. Bujar Nishani aktualisht mban postin e ministrit të Drejtësisë, ndërkohë që ka drejtuar Ministrinë e Brendshme gjatë vitit 2007 deri në vitin 2009, ku dhe ka arritur rezultate të suksesshme në luftën kundër krimit të organizuar. Këto ndryshime në kabinetin qeveritar bëhen pas largimit të dy ministrave, Lulzim Basha dhe Ferdinand Xhaferaj të cilët janë kandidatë për bashkinë e Tiranës dhe të Durrësit në zgjedhjet vendore të 8 majit. Për vetë rëndësinë e dikasterit të Ministrisë së Brendshme, emërimi i ministrit në këtë post ka qenë një zgjedhje e domosdoshme e kryeministrit Berisha, në një kohë kur po afrojnë zgjedhjet lokale, pasi Policia e Shtetit ka rolin thelbësor në garantimin e qetësisë së fushatës dhe ditës së zhvillimit të zgjedhjeve vendore. Kuvendi i Shqipërisë pritet të votojë dekretin e Presidentit për emërimin e z.Bujar Nishani si ministër të Brendshëm. Kuvendi pritet të votojë edhe ligjin për amnistinë fiskale dhe detyrimeve të tjera të qytetarëve ndaj shtetit.
...