Lulzim Basha rinovon angazhimin për të moshuarit: “Përkujdesje çdo ditë për njerëzit në nevojë”
Lulzim Basha, kandidati për kryebashkiak në Tiranë, parashikon në programin e tij mbështetje të veçantë për personat në nevoje, jetimët, të moshuarit, ata me aftësi të kufizuara, etj. Lulzim Basha iu bashkua drekës së të moshuarve në Azilin Shtetëror të Tiranës, ku tre prej tyre kishin ditëlindjen. Basha u shprehu dashuri dhe mirënjohje Rizait, Cunes dhe Mudzezit, në ditëlindjen e tyre. “Unë do të përpiqem me mish edhe me shpirt për përmirësimin e kushteve të moshës së tretë në kryeqytet. Bashkia mund, duhet dhe nën drejtimin tim do të investojë. Do të hapim më shumë qendra sociale edhe për ata që vijnë gjatë ditës, ku të moshuarit të kenë mundësi të marrin shërbim mjekësor falas, të bëjnë aktivitete të tjera falas, të lexojnë shtypin ditor falas, pra të kenë mundësi të kalojnë kohën e tyre në një ambient sa më të këndshëm”- u tha Basha të moshuarve. Por jo vetëm në këtë ditë dhe në raste gëzimi, të moshuarit do të kenë vëmendjen e Lulzim Bashës. Si kryetar Bashkie ai parashikon shtim të qendrave sociale dhe përkujdesje të vazhdueshme ndaj tyre. Një nga komunitetet që nuk ka pasur asnjëherë vëmendjen e Bashkisë janë dhe jetimet. Në një takim me këtë komunitet, kandidati për kryetar të bashkisë së Tiranës Lulzim Basha tha se strehimi dhe arsimimi i tyre do të kenë vëmendje të veçantë. “Kam 11 vjet, kam çuar mbi 15 telegrame e letra dhe ai zotëri nuk begenis të na presë . Ka 11 vjet si Kryetar Bashkie nuk ka strehuar një jetim”, iu ankua Bashës një përfaqësues i komunitetit të jetimëve. “Kam 20 vjet jemi 30-40 veta që jemi familjarë të gjithë me fëmijë dhe nuk ka vënë njeri dorë tek ne. Gjëja kryesore për ne jetimët është strehimi”, u shpreh një tjetër përfaqësues i këtij komuniteti. Pasi dëgjoi këto shqetësime, Lulzim Basha siguroi se, “Bashkia do të ndërtojë brenda katër viteve të ardhshme, jo më pak se 1 mijë banesa sociale dhe në krye të listës do të jenë jetimët sepse ata meritojnë përkrahjen kryesore”. “Ju garantoj se asnjë fëmijë jetim që dëshiron të ndjekë Universitetin nuk do mbetet pa universitet”- tha ai. Zoti Basha garantoi se në Bashkinë e Tiranës, do të ketë një fond special që do të hapet për kontribute bamirësie, qe do të mbështesë financiarisht nënat kryefamiljare.
Po dje, Lulzim Basha takoi banorët e Kodër Kamzës në Tirane. Ata u shprehen se kanë qenë të diskriminuar nga Bashkia e Tiranës, ndonëse i paguajnë taksat rregullisht si të gjithë qytetarët e tjerë. Në bashkëbisedimin me kandidatin për kryetar bashkie, Lulzim Basha, ata thanë se prej 20 vitesh nuk është ndërhyre në infrastrukturën e kësaj zone. Ndër shqetësimet e banorëve janë edhe taksat e larta të bashkisë të cilat, sipas tyre, po çojnë drejt falimentimit biznesin e vogël. “Rruga është për faqe të zezë, taksat i paguajmë pse?” tha një banore. “Tre herë votime, tre herë nxirje me bojë të zezë është bërë kjo rrugë, duke na mashtruar si komunitet”, tha një tjetër banore. “Çdo gjë nga ky komunitet është bërë vetë, absolutisht nga Bashkia e Tiranës këtu në këtë lagje nuk është vënë dorë”, u shpreh një banor. Ndërkohë, Lulzim Basha tha se kjo gjendje do të ndryshojë. “Në këtë lagje, sikundër edhe në lagje të tjera të Tiranës, të vjetra dhe të reja, Bashkia i mbledh taksat njësoj, por shërbimet nuk i ofron dhe kësaj ne duhet ti japim fund. Unë ju jap fjalën se do ndërtoj në këtë lagje kënde sportive, lulishte dhe qendra interneti për të gjithë ju”- tha Basha. Një problem tjetër janë taksat e larta për biznesin.
“Taksat janë shumë të larta, biznesi i vogël është drejt falimentimit”- u shpreh pronari i një biznesi të vogël. “Taksë gjelbërimi dhe taksë tabele nuk ke për të pasur më, taksën e pastrimit do ta ulim. Kam platformë që për këdo që punëson 40 deri në 50 qytetarë, 4 deri në 5 vit,e nuk do të ketë taksa. Këto janë mënyrat sepse një kryebashkiaku nuk kanë ç’i duhet taksat, kur ka qytetarët pa punë”, u shpreh kandidati për kryebashkiak në Tiranë, Lulzim Basha.