OSBE: Me 8 maj, shqiptarët votojnë për integrimin e Shqipërisë
Ambasadori i OSBE-së, Eugen Wollfarth u bën thirrje qytetarëve për pjesëmarrje masive në zgjedhje, pasi kjo votë do respektojë dinjitetin e zgjedhësve dhe do shprehet mbi perspektivën e integrimit të vendit në BE
Përfaqësitë diplomatike të kancelarive perëndimore në Shqipëri, i bëjnë thirrje qytetarëve shqiptarë që më 8 maj të respektojnë të drejtën kushtetuese, për të ushtruar të drejtën e votës. Apeli vjen nga ambasadori i prezencës së OSBE-së në vendin tonë, Eugen Wollfarth, i cili përmes një mesazhi drejtuar qytetarëve gjatë hedhjes së shortit për nisjen e hetimit për pasurinë e zyrtarëve, i konsideron zgjedhjet vendore si inspiruese të perspektivës integruese të Shqipërisë. Ai thekson se zgjedhjet janë një shans shumë i mirë ku qytetarët të tregojnë se korrupsioni është një çështje pa parti. “Vetë zgjedhësit kanë mundësi që në 8 maj të mbajnë një qëndrim ku të shprehin tolerancë zero ndaj korrupsionit” - u shpreh Wollfarth. Ai inkurajoi qytetarët që në zgjedhjet vendore të 8 majit t’u largohen aleancave të verbra me partitë politike por të votojnë për atë kandidat që ka vullnet për një qeverisje më të mirë. Duke iu referuar korrupsionit ambasadori Wollfarth theksoi se në Shqipëri korrupsioni mbetet prevalent dhe ekziston në shumë sektorë, por ai shtoi se qeveria s’mund ta luftojë e vetme atë. “Qeveria nuk mund ta luftojë e vetme korrupsionin. Është e domosdoshme që shoqëria civile të bashkëpunojmë me ILDKP-në” - deklaroi ambasadori i prezencës së OSBE-së, Eugen Wollfath.