E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bujar Nishani vazhdon të jetë ministër

Bujar Nishani

Presidenti i sapozgjedhur, Bujar Nishani, pritet që brenda 20 korrikut – datë që përfundon mandati 5-vjeçar i presidentit aktual, Bamir Topi të marrë detyrën e kreut të shtetit. Kur ka mbetur edhe gati një javë kohë, kryeministri Sali Berisha ende nuk ka firmosur dorëheqjen e Nishanit, edhe pse ky i fundit është shprehur publikisht se ka dhënë dorëheqjen pak minuta para votimit në Kuvend për zgjedhjen e tij si president.

Edhe në qoftë se kjo nuk ka ndodhur para votimit, nuk përbën ndonjë shkelje kushtetuese pasi, në dokumentin themeltar të shtetit përcaktohet qartë kjo çështje. Në nenin 88 të saj pika 3 thuhet: Presidenti fillon në detyrë pasi bën betimin para Kuvendit, por jo më parë se të ketë mbaruar mandati i Presidentit që largohet.

Por problem do të ishte nëse shkarkimi i Nishanit nuk dekretohet pas betimit në Kuvend pasi pika 2 e nenit 88 të Kushtetutës parashikon që mandati i presidentit aktual nuk mund të zgjatet: Mandati përfundon në të njëjtën datë të të njëjtit muaj të vitit të pestë nga data e betimit si President i Republikës. Mandati i Presidentit zgjatet vetëm në kohë lufte dhe për aq kohë sa vazhdon ajo.

Kjo rrëzon edhe aludimet apo pretendimet se Nishani si president i sapozgjedhur ka të gjithë të drejtat që gëzon presidenti. Kjo është tërësisht e pavërtetë, pasi ai do të quhet president pas betimit në Kuvend dhe se deri atëherë nuk ka asnjë funksion apo të drejtë që gëzon presidenti i vendit.

Më shumë gjasa vendimi i Berishës për shkarkimin e Nishanin pritet të merret gjatë mbledhjes së qeverisë, e cila parashikohet të mbahet si zakonisht, të mërkurën në orën 11:00. Javën e shkuar mbledhja e qeverisë nuk u realizua për shkak të problemeve shëndetësore të kryeministrit. /F.Stafa/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›