Kryeministri Berisha, mesazh ngushëllimi për ndarjen nga jeta të Princit të Arabisë
Kryeministri Sali Berisha i ka dërguar dje një telegram Madhërisë së tij, Kujdestarit të dy Xhamive të Shenjta, Mbretit të Arabisë Saudite Abdullah bin Abulaziz Al Saud ku i shpreh atij, në emër të qeverisë shqiptare, ngushëllimet për ndarjen nga jeta të Princit të Kurorës, zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Brendshëm të Mbretërisë së Arabisë Saudite, Nayef bin Abdulaziz Al Saud.
Në këtë mesazh drejtuar Madhërisë së Tij, Mbretit të Arabisë Saudite Abdullah bin Abulaziz Al Saud, kryeministri Berisha shkruan se, “Ndarja nga jeta e Princit të Kurorës, zëvendëskryeministrit dhe Ministrit të Brendshëm të Mbretërisë së Arabisë Saudite, vëllait të dashur të Madhërisë suaj, Najef bin Abdel Aziz, ishte një lajm tronditës dhe humbje e madhe për Madhërinë tuaj, vendin dhe kombin tuaj dhe për miqët tuaj në Shqipëri dhe në botë”, thuhet në mesazhin e kryeministrit Berisha.
“Shqiptarët dhe Shqipëria kanë pasur tek Princi i Kurorës një mik të madh dhe të çmuar. Duke ndarë zinë dhe hidhërimin e kësaj dite të rëndë, në emër të qeverisë shqiptare ju përcjell ju Madhëri, familjes dhe kombit tuaj mik, ngushëllimet më të sinqerta dhe i lutem Zotit, se bashku me ju, që shpirti i vëllait Najef, Princit të Kurorës, të gjejë paqen e merituar”, përfundon mesazhi.