E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD dhe PS, diskutime mbi përbërjen e KQZ-së

18-06-2012 / Gazeta 55

Reforma zgjedhore

Reforma zgjedhore është sfida e politikës kur kanë mbetur edhe pak javë nga mbyllja e sesionit parlamentar. Burime pranë shumicës parlamentare bëjnë të ditur se zyrtarisht opozita ka bërë vetëm një propozim për KQZ-në, sipas të cilit, gjashtë anëtarë të zgjidhen me formulën aktuale, ndërsa kryetari të dalë nga një prej institucioneve të Drejtësisë.
Ky propozim është hedhur poshtë nga shumica dhe nga ky moment nuk ka pasur asnjë zhvillim të ri.
Dy ditë më parë, në një prononcim për mediat, bashkëkryetari socialist i Komisionit të Reformës Zgjedhore, Damian Gjiknuri, tha se “kemi themeluar ca kontakte të para dhe besoj se duhet të shikojmë mënyrën se si duhet të qasemi drejt reformës zgjedhore, pasi janë gjera që kanë mbetur dhe duhet të gjejmë dhe modalitetet si do ta shtyjmë përpara këtë proces. Që të rivëmë në punë Komisionin për një periudhë të shkurtër kohe, në mënyrë që të trajtojmë çështjet e mbetura që nuk patëm mundësi t’i adresojmë deri në 15 maj, siç e kishim afatin”, thotë Gjiknuri.
Çështja e dytë për të cilën palët ende nuk kanë rënë dakord është ajo e hapjes së kutive. Shumica ka hedhur poshtë propozimin e opozitës që kërkon hapjen e kutive sa herë e propozojnë dy anëtarë të KQZ-së.
Sipas PD-së, kutitë mund të hapen vetëm me vendim gjykate. Komisioni i reformës zgjedhore pritet të mblidhet gjatë kësaj jave për të diskutuar rreth modaliteteve dhe formulës së KQZ-së. Në vëmendjen e partive politike, veçanërisht opozitës, është ende i freskët apeli i komisionerit për Zgjerimin, Stefan Fule për finalizimin e reformës zgjedhore brenda afateve të parashikuara në marrëveshjen politike të 14 nëntorit.  
Ekspertët: Ankimimet, jo në KQZ/Ekspertët e çështjeve zgjedhore e shohin zgjidhjen e problemit të ankimimeve dhe rinumërimin e votave tek kolegji zgjedhor, duke përjashtuar kategorikisht KQZ-në nga ky proces. Çlirim Gjata thotë se nuk duhet të jetë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ai që të vendosë për ankimimet dhe rihapjen e kutive, por gjykata. “Të ndryshohet sistemi i konceptit të punës në këtë institucion. Nga një institucion që i pranon ankimet dhe gjithë kjo është Thembra e Akilit, të kthehet në një institucion administrativ i cili merret vetëm me përgatitjen e bazës materiale, shpërndarjen e saj, përgatit zgjedhjet e kaq. Gjithçka tjetër të kalojë në Gjykatë. Edhe rezultati kur ankimohet, dhe pavlefshmëria, nga KZAZ të ankohet direkt te gjykata i cili kërkon pastaj një sistem të ri të administrimit gjyqësor për zgjedhjet”, u shpreh ish kreu i KQZ-së, Çlirim Gjata.
Por, si mund t’i administrojë një kolegj zgjedhor i vetëm problemet elektorale nëse partitë kërkojnë rinumërim të kutive në të gjithë qarqet e vendit? Gjata thotë se krijimi i 6 kolegjeve të tilla do të bëjë të mundur shqyrtimin e çështjeve dhe nxjerrjen e fituesit të zgjedhjeve në kohë reale.
“Nëse shkoni në gjykatë mbaron shpejt, por një sistem i ri i administrimit gjyqësor, për çështjet zgjedhore, jo ky që është me një kolegj. Mund të ndahet të bëhet me gjashtë kolegje. Një kolegj për dy qarqe për shembull. Ky siç është por me disa gjykata”, thotë Gjata.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›