Bujar Nishani vazhdon të marrë mesazhe urimi
Ambasadorët përshëndesin Presidentin e sapozgjedhur
Presidentit të zgjedhur të Republikës Bujar Nishani vijojnë t’i mbërrijnë mesazhe urimi me rastin e zgjedhjes në këtë detyrë. Pas mesazheve të urimit nga Ambasadori i BE, Ettore Sequi, Ambasadori i SHBA, Alexander Arvizu dhe Ambasadori i OSBE, Eugen Wolfarth, i përcollën mesazhe urimi edhe Ambasadori i Italisë Massimo Gaiani dhe Ambasadorja e Francës Christine Moro.
Ambasadori i Italisë në Tiranë Massimo Gaiani nëpërmjet një bisede telefonike i përcolli Nishanit urimin me rastin e zgjedhjes në detyrën e Presidentit të Republikës. Gaiani vlerësoi rolin e deritanishëm të Nishanit në cilësinë e Ministrit të Brendshëm dhe të Ministrit të Drejtësisë për forcimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimin e frytshëm me ambasadën dhe qeverinë italiane, e ndërkohë shprehu dëshirën që ky nivel bashkëpunimi të vijojë edhe me institucionin e Presidentit të Republikës. “Ju përcjell përgëzimet e mia më të ngrohta me rastin e përzgjedhjes suaj si President i Republikës, zgjedhje ku unë pata kënaqësinë të isha e pranishme në Parlament, si dhe urimet e mia për ushtrimin e funksionit të lartë që ju do të merrni pas disa javësh”, shprehet në letrën e saj të urimit për Nishanin, Ambasadorja e Francës në vendin tonë Christine Moro. “Jam e bindur se përvoja juaj, cilësitë tuaja personale dhe vendosmëria juaj janë tipare shumë të rëndësishme, të cilat tashmë do të jenë në shërbim të të gjithë vendit”, thekson në letrën e saj ambasadorja Moro.
Më tej në letër ambasadorja Moro vlerëson marrëdhënien e besimit që Nishani ka ditur të ndërtojë me Të ashtu si edhe me ambasadoren e mëparshme, e po kështu për bashkëpunimin e cilësisë së lartë me Ambasadën e Francës. “Të gjitha shërbimet e policisë që varen nga autoriteti juaj, si dhe DAP-i, nën drejtimin dhe nxitjen tuaj kanë pasur një bashkëpunim të cilësisë së lartë me Ambasadën e Francës duke synuar të realizohen objektivat që ndjek Shqipëria me mbështetjen e Francës: afrimin me BE dhe thellimin e marrëdhënieve institucionale dhe të bashkëpunimit operacional, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, bashkëpunimin rajonal në këtë drejtim, krijimin e një administrate profesionale dhe të formuar mirë”, përfundon Ambasadorja e Francës Christine Moro letrën e saj për Presidentin e zgjedhur të Republikës, Bujar Nishani.