E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vath Tabaku: Unë, zëvendësuesi i Nishanit

Vath Tabaku

 Luis Tanushi

Vath Tabaku pritet që të jetë deputeti i ri i PD në Kuvend. Pas zgjedhjes së Bujar Nishanit në postin e Presidentit, PD do të zëvendësojë vendin e mbetur bosh me emrin pasardhës së listës në qarkun e  Tiranës. Tashmë, Vath Tabaku  do të duhet të lërë detyrën e tij të Dekanit në Fakultetin e Shkencave Pyjore, post që e mban që prej janarit të vitit 2008. Kandidati për deputet shpreh impresionet e para të tij dhe të miqve kur mësuan për detyrën e re.

 

Si e pritët dhe cili ka qenë reagimi i parë i familjarëve dhe i miqve tuaj, kur mësuat se do të hyni në Kuvend?

Para së gjithash, gëzimi më i madh për mua qe, kandidimi dhe zgjedhja e Zotit Bujar Nishanit në postin e presidentit. Pastaj vjen momenti i zëvendësimit të vendit bosh në parlament. Natyrisht ky fakt, për familjarët dhe miqtë e mi erdhi disi papritur, duke pasuar edhe me urime të shumta. Të jesh anëtar i parlamentit të vendit tënd, është një detyrë sa fisnike aq edhe obliguese. Për këtë unë do të vë në dispozicion të kësaj detyre të gjitha energjitë e mia fizike e mendore, për ti shërbyer parlamentarizmit shqiptar me devocion maksimal, edhe pse koha në dispozicion nuk do të jetë shumë e gjatë.

Çfarë do të sillni ndryshe për zonën që ju përfaqësoni?

Në listën e kandidatëve të PD-së për qarkun e Tiranës unë isha i 16-ti dhe në patronazh për fushatë elektorale kisha katër komuna të këtij Qarku, atë të Kasharit, Vaqarrit, Pezës dhe Ndroqit. Unë jam munduar të jem në kontakt me komunitetin e zonave të mia, të dëgjoj kërkesat e tyre dhe ti përcjell ato pranë strukturave të PD-së së Degës së Tiranës dhe sigurisht një pjesë e problemeve edhe kanë gjetur zgjidhje.

Mandati juaj do të jetë vetëm një vit. Çfarë prioritetesh keni në këtë afat të shkurtër?

Mandati do të jetë vetëm një vit, por kjo nuk do të thotë se kjo kohë është absolutisht e shkurtër për të realizuar objektiva apo detyra të planifikuara më parë. Është një hapësirë kohore, që me një përkushtim maksimal mund të arrihet diçka dhe të justifikohet detyra e deputetit. Akoma më i rëndësishëm është fakti, që unë do të jem në Parlamentin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Kjo i jep kësaj periudhe të shkurtër vlera shumë të mëdha.

Jemi vetëm një ditë pas zgjedhjes se presidentit, si e komentoni procesin?

Zgjedhja e Zotit Nishani në postin e Presidentit të Republikës ishte zgjedhja më e mirë nga e gjithë shoqëria politike e Shqipërisë. Procesi i zgjedhjes së presidentit ishte plotësisht transparent dhe dëshmoi bindshëm unitetin e mazhorancës, e cila ofroi vazhdimisht një dialog dhe bashkëpunim, por që nuk pati të njëjtën sjellje nga ana e opozitës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›