E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Zgjedhja juaj si president, shenjë e gatishmërisë së Shqipërisë për të ecur e sigurt nga e ardhmja”

13-06-2012 / Gazeta 55

Atifete Jahjaga, Hashim Thaçi e George Ivanov urojnë presidentin Bujar Nishani

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka uruar Bujar Nishanin për zgjedhjen e tij në postin e Presidentit të Shqipërisë.
Presidentja Jahjaga shpreh përkushtimin për bashkëpunimin e gjithanshëm ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë, në përparimin dhe mirëqenien e kombit. “Republika e Kosovës i sheh me dashamirësi të gjitha përparimet e Shqipërisë dhe avancimin e proceseve demokratike, të parlamentarizmit dhe të ndarjes së pushteteve, si dhe avancimin e të drejtave dhe të lirive të njeriut”, thuhet në urimin e Jahjagës. Ndërkaq, në urimin e tij, Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi thotë se, “zgjedhja juaj President i vendit Tuaj, është edhe një e arritur e demokracisë shqiptare dhe shenjë e gatishmërisë së Shqipërisë për të ecur e sigurt nga e ardhmja. Urojmë që mandati Juaj presidencial të jetë i mbushur me të arritura, fitore dhe suksese në të gjitha fushat, si në rrafshin kombëtar, ashtu edhe në atë ndërkombëtar. Institucionet e Kosovës, si gjithherë, mirëpresin forcimin e Shqipërisë, dhe shprehin gatishmërinë e thellimit të bashkëpunimit midis dy vendeve tona”.
Thaçi shpreh besimin se dy vendet, Shqipëria dhe Kosova, janë shembuj të funksionimit të demokracisë në hapësirat shqiptare dhe të vendosmërisë për t’u integruar në institucionet euroatlantike.
Edhe Presidenti i Maqedonisë, George Ivanov uroi zgjedhjen e Bujar Nishanit si president të ri të Republikës së Shqipërisë. Kreu shtetit të Maqedonisë në urim shpreh kënaqësi nga shkalla e lartë e marrëdhënieve miqësore ndërmjet Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Shqipërisë, si dhe bindje se me angazhim të përbashkët do të kontribuohet për avancimin e mëtutjeshëm të bashkëpunimit në të gjitha sferat e interesit të përbashkët.
“Jam i sigurt, se angazhimet tona të përbashkëta në afirmimin e paqes dhe stabilitetit në rajon do të kontribuojnë për integrimin e tij të përshpejtuar në strukturat euroatlantike. Jemi tërësisht të përgatitur për bashkëpunim të ngushtë në këtë plan”, thekson Ivanov në urimin drejtuar Nishanit.
Urime Presidenti i zgjedhur Bujar Nishani, ka marrë edhe nga krerët e partive shqiptare të Kosovës e Maqedonisë.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›