“Bashkëpunimi do të mbetet prioriteti maksimal i presidencës sime”

Një ditë pas zgjedhjes në postin e Presidentit, Bujar Nishani flet për mediat: “Kam marrë urime nga deputetë të PS-së”
Presidenti i sapo zgjedhur i Republikës, Bujar Nishani pas takimit me administratën e Ministrisë së Brendshme, deklaroi në një komunikim me mediat se opozita ushtroi të drejtën e sovranit të saj, kur nuk mori pjesë në votimin e Presidentit. “Do të doja të merrja edhe votat e opozitës, por natyrisht opozita ka ushtruar të gjithë të drejtën e sovranitetit të saj”, u shpreh Nishani. Presidenti i sapo zgjedhur i Republikës, tha se raportet me pakicën parlamentare do jenë konstruktive dhe brenda asaj që lejon Kushtetuta. Duke shprehur rëndësinë e bashkëpunimit me opozitën, Nishani tha se, “bashkëpunimi është dhe do të mbetet prioriteti maksimal nga dita e parë dhe e fundit e administratës time”. Ai tha se nuk parashikon takime zyrtare me përfaqësues të opozitës para betimit në Kuvend. I pyetur nëse kishte marrë urime nga deputetët opozitarë, pas votimit të tij si President, Nishani pohoi se kishte marrë “jo pak urime nga deputetë të PS-së”
A ju vjen keq që nuk ju votoi dhe opozita dje në Kuvend?
Natyrisht që do të më pëlqente shumë të merrja dhe votat e opozitës, por opozita ka ushtruar të gjithë të drejtën e sovranitetit të saj. Ajo që është e rëndësishme për mua ka të bëjë me faktin e respektit maksimal që unë i ofroj opozitës shqiptare, ashtu si të gjithë institucioneve dhe aktorëve të rëndësishëm të jetës politike dhe publike në Shqipëri.
Cili është vendimi i parë që do të merrni në detyrën si President?
Kjo mbetet për t’u përcaktuar nga axhenda që do të bëj së bashku me stafin tim dhe me axhendën që ka Presidenca e Republikës.
A do t’i bëni thirrje opozitës për bashkëpunim?
Padyshim ai është dhe do të mbetet prioriteti maksimal nga dita e parë deri në ditën e fundit të administratës sime.
Përmendët bilance pozitive në Ministrinë e Brendshme, po ndonjë peng?
Natyrisht që askush nuk është pa pengje, por unë besoj që këto nuk kanë qenë të rëndësishme. Më të rëndësishme kanë qenë vetë përpjekjet e bëra për të arritur këto rezultate.
Në pritje të marrjes së detyrës suaj, a do të keni paraprakisht një komunikim zyrtar me Partinë Socialiste?
Unë besoj që nuk ka nevojë për procedura të tilla, për takime zyrtare para se të marr detyrën. Partia Socialiste është forca e dytë në parlament, deputetët e saj janë në parlament dhe kontakti me ta padyshim që është dhe do të jetë në parlament, në momentin e betimit në parlament dhe më pas padyshim që kontaktet e mia do të jenë normale.
Duke pasur parasysh se ju u votuat në unison nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike por edhe nga të gjithë aleatët në qeverisje, duke pasur parasysh edhe sesi shkoi raundi i katërt, dorëheqja e kandidatit të mëparshëm, kandidimi juaj, a ishte surprizë për ju?
Në radhë të parë më lejoni që ta shfrytëzoj këtë dalje të parë përpara jush me një falënderim të veçantë për gazetarët e median që e kanë ndjekur dhe e kanë respektuar këtë proces në mënyrë perfekte. Edhe unë personalisht ashtu si të gjithë deputetët, ju jam mirënjohës për punën shumë të madhe që keni bërë për t’i ofruar informacionin e nevojshëm publikut, i cili ishte padyshim shumë i interesuar për këtë proces. Së dyti, adresoj të gjitha konsideratat e mia për të gjithë kandidatët që u përfshinë në procesin e gjatë për Presidentin e Republikës... Për sa u takon surprizave, natyrisht surprizat janë gjithmonë të bukura, e vërteta është që ne shkuam për të votuar kandidaturën e Artan Hoxhës. Natyrisht më pas vendimi politik u bë i ditur para se të bëhej publik, vendim të cilin e mirëprita me kënaqësi nga kryetarët e partive të koalicionit.
A keni marrë urime edhe nga deputetët e opozitës?
Kam marrë..., kam marrë edhe jo pak...
Deri sa do të qëndroni në detyrën e Ministrit të Brendshëm?
Unë që ditën e djeshme përpara votimit në Parlament kam depozituar pranë Kryeministrit kërkesën për dorëheqje. Sot, siç e shihni unë bëra shkëputjen me stafin, për të krijuar një ambient më relaksues në aspektin joformal. Formalisht kjo do të pasohet me dekretin e Presidentit të Republikës për lirimin tim nga detyra, pasi kjo t’i kërkohet nga ana e Kryeministrit, bazuar në kërkesën që unë kam depozituar dje.