Punësimi në Itali, nis sot dërgimi i kërkesave
Aplikimi do të bëhet në internet, do të ketë vetëm tri ditë kohë në dispozicion, ja procedurat
Nis sot që në orën 8:00 të mëngjesit, paraqitja e kërkesave për të përfituar një nga 4500 kuotat e akorduara nga Italia, për punësimin e shqiptarëve. Duke qenë se dekretet e mëparshme kanë treguar se kuotat janë shumë më të pakta se kërkesat, ndaj prej tyre mund të fitojnë vetëm më të shpejtit, kërkesat duhet të paraqiten sa më herët në mëngjesin e datës 31 janar. Zakonisht kanë mundur të fitojnë një kuotë ata që kanë paraqitur kërkesë që 15 minutat e para. Kështu që, edhe këtë radhë, sigurimi i një kuote do të jetë përsëri një garë shpejtësie dhe fati, dhe vetëm 98.080 kërkesat e para që do të mbërrijnë në “trurin” e Ministrisë së Brendshme do të shndërrohen në leje qëndrimi. Për shqiptarët, do të jetë e rëndësishme të arrihet ndër 4500 të parët. Sipas qarkores së përbashkët të Ministrisë së Brendshme Italiane dhe Ministrisë së Punës, kërkesat për punësimin e shqiptarëve që jetojnë në Shqipëri (por, praktikisht, edhe në Itali pa leje qëndrimi) duhet të paraqiten më 31 janar 2011. Ndërsa shqiptarët që do të kërkojnë konvertimin e lejes së qëndrimit duhet të paraqesin kërkesën më 3 shkurt 2011. Kështu, shqiptarët që jetojnë në Itali me një lejeqëndrim, çfarëdo e që kërkojnë konvertimin në lejeqëndrim për punë, sipas nenit 4 të dekretit të flukseve, duhet të paraqesin kërkesë më 3 shkurt 2011. Në ligj është shkruar shprehimisht që do të pranohen kërkesat e paraqitura brenda 6 muajsh nga data e botimit të dekretit në Gazetën Zyrtare. Dje, Ministria e Brendshme Italiane ka njoftuar se sistemi i dërgesës telematike të kërkesave do të pësojë disa ndryshime më 31 janar, më 2 dhe 3 shkurt. Sipas njoftimit të kësaj Ministrie, disa shërbime të sistemit të dërgesës telepatike, lidhur me dekretin e flukseve nuk do të jenë aktive më 31 janar dhe më 2 e 3 shkurt, të ashtuquajturat “Cick day”. Më saktësisht, ministria komunikon, që në saitin zyrtar të flukseve, http://nullaostalavoro.interno.it/, “duke filluar nga ora 7:00 e 31 janarit, e 2 dhe 3 shkurtit, deri në orën 10:00 të të njëjtave data, për të garantuar një shërbim optimal, sistemi i dërgesës telematike nuk do të lejojë operacionet e regjistrimit, të kërkesës, të përpilimit dhe të përgatitjes për dërgimin e moduleve, operacionet e shkarkimit të programit të dërgesës (mini-cient) dhe shfaqjen e kuponit të dërgesës”. Praktikisht, në parashikim të paraqitjes së kërkesave të shumta, Ministria i lejon sistemit të vet vetëm marrjen e kërkesave, gjë që do të thotë se para orës 7:00 të click-day-t, të gjithë të interesuarit duhet të kenë në kompjuterin e tyre programin mini-client dhe të kenë bërë gati modulet e përpiluar për nisjen telematike. Edhe këtë vit, procedura e nisjes së kërkesave do të jetë shumë e ngjashme me atë të vitit 2007. Dallimet e pakta kanë të bëjnë me futjen e lehtësimeve teknologjike. Kështu, nuk do të nevojitet të shkarkohet në kompjuterin e shtëpisë software i Ministrisë së Brendshme. Këtë herë do të jetë e mundur që kërkesa të përpilohet drejtpërdrejt nga faqen e internetit të Ministrisë së Brendshme, e cila menjëherë do të japë konfirmimin e marrjes së kërkesës (nuk parashikohet më nisja e një e-mail-i konfirmimi në adresën e postës elektronike). Kujdes! Është shumë e rëndësishme të përdoret moduli i duhur, pasi në rast gabimi nuk do të ketë mundësi korrigjimi dhe pasoja e vetme do të jetë hedhja poshtë e kërkesës. Modulet e duhura për çdo kërkesë janë: për kërkesat për punë shtëpiake duhet përdorur moduli A; për kërkesat për punë të varur duhet përdorur moduli B; për kërkesat në favor të punonjësve të formuar në vendlindje sipas programeve speciale, duhet përdorur moduli BPS. Kështu që për të gjithë shqiptarët që thirren për punë të varur jo shtëpiake, nga ora 08:00 e datës 31 janar duhet të niset kërkesa në modulin A, ndërsa për ata që thirren për punë pranë familjeve, kërkesa niset po në të njëjtën orë por në modulin B.
Kërkesat për punësimin e shqiptarëve që jetojnë në Shqipëri (por, praktikisht, edhe në Itali pa leje qëndrimi) duhet të paraqiten më 31 janar 2011. Ndërsa shqiptarët që do të kërkojnë konvertimin e lejes së qëndrimit, duhet të paraqesin kërkesën më 3 shkurt 2011
Hyrja për punë, procedura e vizës
Punëtorët shqiptarë, që do të aplikojnë për punësim sezonal në Itali, menjëherë pas miratimit të kërkesës nga punëdhënësi italian, duhet të nisin procedurat për marrjen e vizës. Gjithçka do të realizohet në dy faza, që janë: paraqitja në Ambasadën Italiane, për nënshkrimin e kontratës së punës që dërgon punëdhënësi italian; futja e dokumenteve për marrjen e vizës dhe lëshimi i lejes nga autoritetet italiane. Për të përfituar sa më shumë nga punësimi sezonal në Itali, të gjithë aplikuesit duhet të dinë se miratimi për punësimin si punëmarrës ka vlefshmëri kohore të barabartë me gjashtë muaj, që nga data e lëshimit, gjatë të cilëve punëtori/rja duhet të hyjë në Itali, të paraqitet pranë Sportelit Unik dhe të nënshkruajë kontratën. Pas dërgimit të kërkesave nga punëmarrësit e huaj, punëdhënësi italian duhet të paraqesë kërkesën e tij pranë Sportelit Unik për Emigracionin në prefekturën ku banon ose në rast ndërmarrjeje ose shoqërie, atje ku e ka selinë, ose ku do të zhvillohet aktiviteti i punës. Bëhet fjalë për dërgimin e një modulari, që mbushet on-line, i cili përmban propozimin e kontratës së qëndrimit ku do të jepen të dhënat që kanë të bëjnë me marrëdhënien e punës që dëshirohet të krijohet (të ardhurat, pagesa, kontrata kolektive që do të aplikohet, sistemi i banimit e kështu me radhë). Pas marrjes së kërkesës, Sporteli Unik do t’ia dërgojë kërkesën kuesturës për verifikimin e dëbimeve ose dënimeve të mundshme të punonjësit. Në rast aprovimi, vetë zyra e përcjell kërkesën pranë Drejtorisë Provinciale të Punës, për të verifikuar nëse ka ende kuota në dispozicion, të aftësisë ekonomike të punëdhënësit dhe të respektimit të kushteve minimale të punës. Më pas mund të kërkohen dokumente plotësuese. Nëse verifikimet përfundojnë pozitivisht, punëdhënësi thirret për nënshkrimin e kontratës së qëndrimit dhe për lëshimin e autorizimit (nulla-osta) për punë, i vlefshëm për 6 muaj nga data e lëshimit. Punëdhënësi duhet t’ia dërgojë këtë nulla osta punonjësit të huaj. Ky i fundit, me këtë dokument origjinal dhe me pasaportën të vlefshme, duhet të shkojë në Konsullatën Italiane, për të kërkuar vizën e hyrjes për punë në Itali. Vetëm pasi të ketë marrë vizën, shtetasi jokomunitar mund të shkojë në Itali. Brenda 8 ditëve nga hyrja në territorin italian, ai duhet të paraqitet në Sportelin Unik për të nënshkruar kontratën e qëndrimit. Më pas mund t’i bëjë kuesturës kërkesë për lejeqëndrim pune, duke përdorur kompletin postar të formularëve.