E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bujqësia, rritje e vogël fondesh në buxhetin 2010

Buxheti i vitit të ardhshëm parashikon 6.4 miliardë lekë për Ministrinë e Bujqësisë, shifër kjo vetëm 381 milionë lekë më e madhe se sa buxheti plan i këtij viti, bëhet e ditur nga relacioni i buxhetit të shtetit. Shpenzimet e Ministrisë së Bujqësisë do të jenë sa 0.5 për qind e PBB-së në vitin e ardhshëm nga 0.52 për qind e PBB-së që ishin këtë vit. Zyrtarë të ndryshëm të qeverisë patën premtuar gjatë verës se do ta kthenin bujqësinë në prioritet në vitin e ardhshëm, duke u përqendruar në pagesat e fshatarëve për mbjellje drufrutorësh apo rritje të prodhimit bujqësor. Por në të dhënat financiare, buxheti i bujqësisë së paku në letra, rritet me vetëm 6.3 për qind, pra më pak se sa rritja e përgjithshme e shpenzimeve buxhetore.

Bujqësia është sektori më i prapambetur ekonomik i Shqipërisë dhe ka përjetuar një stanjacion afatgjatë me rritje vjetore prej më pak se 2 përqindësh në dekadën e fundit. Popullata rurale përbën më shumë se gjysmën e shqiptarëve. Prodhimi bujqësor në vend përbën 20 për qind të PBB-së, gjë që e bën popullatën rurale shumë herë më të varfër se atë urbane.

Sipas statistikave të fundit, gjatë vitit të kaluar, prodhimi bujqësor në Shqipëri arriti në rreth 1.2 miliardë euro, prodhim ky që u nda në mënyrë pothuajse të barabartë mes 411 mijë familjeve dhe 1.7 milionë banorëve të zonave rurale shqiptare. Për pasojë, prodhimi bujqësor bruto, ishte vetëm 85 mijë lekë për frymë, në vitin 2008, ndërkohë që të ardhurat mesatare kombëtare qenë 320 mijë lekë për frymë. Prodhimi bujqësor gjatë vitit të kaluar u rrit me 4.9 për qind, rritja më e lartë e shënuar në afro një dekadë, por sipas ekspertëve të bujqësisë, një statistikë e tillë është e pamundur të verifikohet. Buxheti i shtetit ka dërguar më pak se 1.6 për qind të shpenzimeve totale në këtë sektor, gjë që i ka mbajtur investimet publike në minimum dhe bujqësinë në tërësi të nëninvestuar. Ekspertët kanë kritikuar edhe praktikat aktuale të subvencionimit, të cilat pritet që vitin e ardhshëm të hanë rreth 14 milionë euro si një skemë që është e pamundur të kontrollohet, nëse paratë mbërrijnë me të vërtetë te fermerët apo humbasin rrugës.

Gj. Erebara

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›