Kapet në banesë me 23 kilogramë heroinë dhe armë i moshuari 64-vjeçar
Duket se edhe nga informacionet e zakonshme anonime nga qytetarët në sallën operative, mund të dalë "lepuri i madh". Kështu, pas një telefonate të paidentifikuar, forcat e policisë kanë sekuestruar dje në banesën e një shtetasi në qytetin e Mamurrasit një sasi rekord prej 23.5 kg lëndë narkotike të llojit heroinë. Lajmi është bërë dje i ditur përmes një deklarate zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, në të cilën sqarohet se droga u zbulua pas një informacioni rutinë. Pas vlerësimit dhe verifikimit të tij, strukturat e Antidrogës në Drejtorinë e Përgjithshme në Tiranë, në bashkëpunim edhe me strukturat vendore policore, arritën të gjejnë sasinë e madhe të heroinës dhe të arrestojnë në flagrancë poseduesin. Po sipas të njëjtave burimeve zyrtare, sasia prej 23 kilogramë e 510 gramë lëndë narkotike e llojit heroinë u gjet në banesën e shtetasit 64-vjeçar Hamit Doçi, banor i qytetit të Mamurrasit. Policia deklaron gjithashtu se gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e të moshuarit u gjetën e sekuestruan në cilësinë e provës materiale edhe një pistoletë tip "Bereta", një armë gjahu po e tipit "Bereta", së bashku me nga 4 dhe 20 fishekë. Për Hamit Doçin është marrë masa e arrestit në flagrancë, ndërsa materialet procedurale në ngarkim të tij i kanë kaluar për ndjekje të mëtejshme Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Ende nuk dihet nëse 64-vjeçari është pronari i vërtetë i drogës së kapur, apo ka qenë thjesht vetëm një strehues i mallit që kap vlerën e qindra mijëra eurove. Ndërkohë, nga pyetjet e tij pritet të mësohet nëse bëhet fjalë për ndonjë rrjet të fuqishëm trafikantësh dhe kush ka qenë destinacioni i drogës. Paraprakisht dyshohet se malli është blerë në Bullgari ose Maqedoni dhe në ditët në vijim do të transportohej drejt Italisë. Sipas policisë, i arrestuari është pa precedentë penalë.
Ndërkohë, pardje një tjetër person është arrestuar për posedim droge dhe pikërisht të llojit heroinë, por në sasi shumë më të pakët. Operacioni u zhvillua në qytetin e Durrësit, dhe u finalizua me arrestimin e 38-vjeçarit Arban Hoxha, pasi afër Shkëmbit të Kavajës u kap në flagrancë me 28.4 gramë drogë të pastër, e cila iu bllokua me cilësinë e provës materiale, ndërkohë që materialet i kaluan prokurorisë për hetime të mëtejshme.