E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gripi i zakonshëm, të vegjlit mbushin urgjencat

Mbërritja e parakohshme e gjendjes gripale, që ka përfshirë vendin, nga java në javë po shton numrin e të prekurve nga viroza e stinës. Dy javë më parë, Instituti i Shëndetit Publik përllogariti se të prekurit nga viroza dhe kryesisht nga infeksionet e rrugëve të frymëmarrjes, u rritëm brenda shtatë ditëve me 13 për qind, ndërkohë që kjo javë pritet të ketë edhe më shumë të prekur nga gripi i zakonshëm.

Në qendrën spitalore universitare "Nënë Tereza" paraqiten brenda 24 orëve për vizita, trajtim apo shtrim nga 150-200 fëmijë të moshave 0-13 vjeç. Pas Urgjencës së Pediatrisë, një tjetër pavijon ndër më të "vizituarit" është Shërbimi i Infektivit.

Çdo ditë, në këtë shërbim, konsultohen dhe marrin mjekim 70-100 pacientë. Nuk mbetet pas me shifrat e të sëmurëve, si pasojë e uljes së temperaturave as Urgjenca e Kardiologjisë. Brenda 24 orëve në këtë shërbim paraqiten për ndihmë mbi 100 pacientë, kryesisht që vuajnë nga sëmundjet kronike.

Fëmijët

"Kemi një numër më të lartë të infeksioneve respiratore krahasuar me një vit më parë. Këtë javë vërejmë një rritje të numrit të infeksioneve të rrugëve të frymëmarrjes krahasuar me javën paraardhëse. Aktualisht jemi në fazën e aktivitetit sezonal të pritshëm. Numri më i madh i rasteve të infeksioneve respiratore vërehet në moshat fëmijënore", sqaron raporti i detajuar mbi situatën gripale i Institutit të Shëndetit Publik.

Sipas mjekëve, fëmijët janë më të ndjeshëm ndaj ndryshimeve të menjëhershme të temperaturave, prandaj grupmosha e tyre preken edhe më shumë nga virozat e stinës apo gjendjet gripale.

"Fëmijët vijnë bëjnë konsultën, marrin mjekimin dhe largohen për në shtëpi, ndërkohë që rastet më të vështira marrin fletën e shtrimit, për të qenë nën vëzhgimin e mjekëve", tha mjekja e urgjencës së pediatrisë. Pavarësisht rritjes së numrit të fëmijëve të prekur nga gripi i zakonshëm, ka ulje të fluksit të pacientëve që paraqiten në spitalin "Nënë Tereza", menjëherë pas lëshimit të urdhrit të ministrit të Shëndetësisë, Petrit Vasili. Sipas tij, pacientët duhet të zbatojnë sistemin e referimit, duke u paraqitur te mjeku i familjes ose në poliklinika për problemet e zakonshme dhe në rast se lind nevoja të paraqiten në spital për një ndihmë më të specializuar.

Gripi i zakonshëm

"Institucionet shëndetësore po përballen me një situatë të parakohshme gripale, e cila ishte parashikuar për periudhën dhjetor-janar", tha drejtori i politikave shëndetësore në Ministrinë e Shëndetësisë, Pëllumb Pipero. Më shumë se për gripin e derrit, autoritetet shëndetësore paraqesin shqetësim më të madh për gripin e zakonshëm. Viroza, e cila ka prekur një pjesë të mirë të popullatës, po përhapet me shpejtësi ndërsa ka mbërritur para afateve të parashikuara. Ministri i Shëndetësisë ka sqaruar se Shqipëria ndodhet në një situatë të re epidemike dhe problem mbetet viroza e stinës, e cila këtë vit është edhe më e rëndë sesa vitet e kaluara. "Shqipëria ndodhet në një situatë të re epidemike dhe problem mbetet viroza e stinës, e cila këtë vit është edhe më e rëndë", tha ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili. Të dhënat e departamentit të epidemiologjisë pranë ISHP-së kanë vërejtur se viroza shkakton temperaturë të lartë, komplikacione dhe ndryshon nga ajo e viteve të kaluara.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›