E Shtunë, 31 Tetor 2026

Studiuesit ndërkombëtarë, alarm për deformimin e hapësirës

Gjeografët e rajonit japin alarmin se vazhdon rreziku i deformimit të hapësirave natyrore dhe urbane.

Për tri ditë me radhë studiues nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi kanë diskutuar në Gjirokastër për problematika dhe bashkëpunimin në fushën e transformimeve hapësinore të natyrës në tërësi dhe planifikimit të hapësirës urbane në veçanti.

Të gjithë studiuesit arritën pothuajse në të njëjtin përfundim, se në hapësirat e larmishme gjeografike, natyrore dhe urbane në rajon, janë duke u përjetuar momente transformimesh të vrullshme dhe kaotike, si refleksion i veprimeve dhe transformimeve të faktorëve natyrorë dhe njerëzorë. Organizatorët e kësaj konference shkencore ishin Departamenti i Gjeografisë në Universitetin e Tiranës dhe Departamenti i Histori-Gjeografisë në universitetin "Eqrem Çabej". Në këtë konferencë morën pjesë rreth 100 studiues dhe ekspertë të kësaj fushe, të cilët referuan individualisht dhe me bashkautorësi mbi 65 kumtesa. Ekspertët diskutuan dhe debatuan rreth një game të gjerë problemesh që kanë rezultuar nga studimet dhe analizat e hapësirave gjeografike.

Ata bënë vlerësime për trajtimin kaotik të zonave urbane, trajtuan problemet në menaxhimin e zonave të mbrojtura, shndërrimet demografike gjatë periudhës tranzitore, menaxhimin e vlerave të mjedisit natyror dhe trashëgimisë kulturore.

Studiues kanë shprehur shqetësimet e tyre për një varg sfidash, tendencash, dukurish dhe fenomenesh që denatyrojnë hapësirat mjedisore dhe socio-gjeografike me ndërhyrje brutale të natyrës njerëzore, duke kërkuar vëmendje dhe duke bërë rekomandime të vlefshme. Sipas ekspertëve, dukuritë negative të shfrytëzimit jashtë kritereve dhe standardeve të hapësirave mjedisore janë konstatuar gjatë tranzicionit social-ekonomik në Shqipëri. Mandej kanë të njëjtën shfaqje edhe në territoret e Kosovës, Malin e Zi dhe Maqedoni. Rektori i Universitetit të Gjirokastrës, Gëzim Sala, tha se një vend të veçantë zënë problemet e studimeve për parandalimin e deformimeve të hapësirave gjeografike.

Duke respektuar parimin e mjekësisë, se profilaksia është më e mirë se mjekimi, rreth 100 studiues të kësaj fushe dhanë alarmin se mjedisi, hapësirat natyrore dhe urbane, mbeten jashtëzakonisht të rrezikuara nga menaxhimi kaotik i pellgjeve ujore, pyjeve, maleve, monumenteve të kulturës, gjeomonumenteve, vlerat arkeologjike, relievi, hapësirave urbane dhe periurbane, ndërhyrjet brutale në biodiversitetet e natyrës.

E.Serjani

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›