E Shtunë, 31 Tetor 2026

Orikumi, "mollë sherri" mes pronarëve

Gjithnjë e më shumë, zona e Orikumit po lakohet për konfliktet e vazhdueshme mes banorëve të saj dhe policisë. "Molla e sherrit" është bërë toka e saj, e cila po lakmohet nga të gjithë, si nga banorët të cilët kanë punuar për vite me radhë, duke e shpyllëzuar dhe duke e bërë të punueshme, po ashtu edhe nga pronarë të shumtë që me dokumente të rregullta dhe certifikata pronësie pretendojnë pronën, duke dalë kundër njëri-tjetrit dhe akuzuar për falsifikim dokumentesh. Në këto konflikte, jo pak herë janë lakuar emra të politikës, ndërsa kohët e fundit janë shtuar pretendentët për pronësinë e tokave në Orikum. Para disa kohësh, familja Sinanaliaj me dokumentacion të rregullt si dhe leje ndërtimi, nisi ndërtimin e një kompleksi pallatesh, i cili u bë shkak për nisjen e protestave të ish-punëtorëve të NB-së së Orikumit. Pretenduesit e tjerë janë nga familja e Blushajve, po dhe këta me pretendimin e dokumenteve të falsifikuara nga Sinanaliajt. Ndërkohë dhe ish-punëtorët e NB-së së Orikumit pretendojnë pronësinë e tokës, sepse dhe ashtu i është premtuar nëpër fushata të ndryshme elektorale. Pra situata është e tillë në Orikum, ku vetëm gjykata është ajo që i jep zgjidhje çështjes së përfolur të Orikumit. Familja Blushi akuzon se prona, e cila u bë "molla e sherrit" mes policisë dhe ish-punëtorëve të NB "Rinia" disa ditë më parë, është e tyre dhe i është marrë padrejtësisht dhe me dokumente të falsifikuara nga pronarët që figurojnë sot, madje ata shtojnë se dhe prona të cilën sipas pronarëve aktualë ia kanë shitur Selmanllarit, mund t‘i jetë dhënë si dhuratë për këtë të fundit për ndihmën e dhënë. Musa Blushi, një prej pasardhësve të familjes Blushi shprehet për "Shqip" se prona, e cila po përflitet këto kohë, ku janë gjithsej rreth 52000 metra, është prona e tyre e trashëguar prej paraardhësve të tyre, gjë e cila mund të dokumentohet në bazë të dokumentacioneve arkivore. "Ne kemi dokumente që tregojnë se prona jonë në lindje kufizohet nga lumi i Izvorit, në veri nga pusi i Basho Matos dhe në perëndim është vakëfi i Blushajve, i cili ekziston edhe sot e kësaj dite. Gjithashtu ekzistojnë dokumente kufitare të vitit 1946 në kohën e sekuestrimit, që tregojnë se kjo është prona jonë", thotë Blushi.

Sipas Musa Blushit, pala tjetër është ndihmuar nga një ish-deputete. Më tej ai rrëfen se për vite me radhë Blushajt janë endur nëpër shkallët e gjyqësorit për të fituar të drejtën e tyre, por pala tjetër ka paraqitur dokumente false. Ai shprehet se shteti duhet të marrë masa menjëherë për të bërë vlerësime siç duhet të pronave dhe jo të merren nëpërmjet falsifikimeve. Ata akuzojnë se ndaj tyre po bëhen presione të ndryshme, siç ishte rasti i arrestimit të Zeqir Blushit, një prej familjarëve Blushi, i cili u arrestua gjatë ditëve të protestës së banorëve të Orikumit dhe tani ka marrë masën e arrestit në shtëpi. "Ditën e protestës jam arrestuar përpara tensionimit të situatës dhe arrestimi im është i qëllimshëm", thotë ai Zeqiri.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›