E Shtunë, 31 Tetor 2026

Alarmi, burgjet mbartin 675 të sëmurë



Laureta Rryçi

Në burgjet shqiptare aktualisht ndodhen 675 të dënuar që vuajnë nga sëmundje të ndryshme. Shifra konfirmohet për herë të parë nga burime zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve. Të njëjtat burime pohuan dje për gazetën “Albania” se specialistët e këtij dikasteri kanë përpiluar shifra të sakta mbi gjendjen aktuale shëndetësore të të burgosurve. Sipas tyre 384 persona janë të sëmurë kronikë, nga të cilët 225 janë me probleme kardiake, 41 persona janë me diabet, 19 persona janë të sëmurë rëndë dhe pjesa tjetër sëmundje të ndryshme si Pulmonare, Reumatizmale si dhe të traktit urinar. Ndërsa të dënuarit me probleme të shëndetit mendor janë 291, nga këta 74 persona janë me mjekim të detyruar. Të njëjtat burime shpjegojnë se në këto shifra nuk janë të përfshirë sëmundjet Gastrointestinale si ulcerat dhe Kolitopatite, gastritet të cilat janë tepër evidente dhe të kurueshme.
Masat
Sipas specialistëve, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve i ka dhënë rëndësi të veçantë kujdesit shëndetësor të personave me liri të kufizuar. Duke u bazuar në rekomandimet e dhëna nga organizata të ndryshme, të cilat operojnë në këtë fushë, janë bërë përpjekje të konsiderueshme për përmirësimin e kushteve të jetës së komunitetit me liri të privuar. Për këtë, është bërë një strukturim i ri i stafit shëndetësor në burgje dhe ofrimit të kujdesit shëndetësor. Sipas informacioneve zyrtare mesatarisht një institucion penal ka në strukturën e tij 1 mjek të përgjithshëm, një stomatolog, një farmacist dhe katër infermierë. Kjo organikë ndryshon në varësi të kapacitetit të burgjeve. Të gjithë të dënuarit dhe të paraburgosurit janë të pajisur me Kartela Mjekësore dhe stomatologjike si dhe është realizuar unifikimi i dokumentacionit shëndetësor në të gjithë sistemin e burgjeve dhe paraburgimeve.
Shërbimi
Çdo të dënuari aktualisht i ofrohet asistencë mjekësore e specializuar në vendin e vuajtjes së dënimit, ku çdo javë, përveç stafit ekzistues u dërgohen ekipe mjekësh të fushave të ndryshme.
Për çdo të dënuar dhe të paraburgosuri ofrohet trajtimi medikamentoz i të gjitha kostove. Janë blerë medikamentet e urgjencës për të gjithë sistemin e burgjeve në fushën e kardiologjisë, endokrinologjisë, psikiatrisë dhe urgjencave kirurgjikale. Në krahasim me vitin 2007, ku ishin akorduar 11 milion lekë për medikamente, për vitin 2008 për sistemin e burgjeve është akorduar një fond prej 18.5 milionë lekësh. Për materiale stomatologjike për vitin 2007 u akorduan 1 milion lekë (të reja), ndërsa për 2008, 2.5 milionë. Për aparaturat mjekësore në 2007 u akorduan 4.5 milionë lekë, ndërsa për vitin 2008, 9 milionë lekë.

Depistimi për tuberkulozin
Për herë të parë Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve po realizon depistimin e të dënuarve dhe të paraburgosurve në bashkëpunim me OBSH për turbekulozin. Ky depistim ka filluar për herë të parë në burgun e Lezhës ku janë depistuar 400 veta në bashkëpunim dhe me dispanseritë e rrethit të Lezhës. Është planifikuar që ky depistim të realizohet për 4000 persona, gjithmonë duke respektuar vullnetin e lirë të personit. Madje për të përmirësuar nivelin e shërbimit shëndetësor, janë lidhur marrëveshje bashkëpunimi me institucione mjekësore në varësi të Ministrisë së Shëndetësisë, si Autoriteti shëndetësor rajonal që konsiston në asistencë mjekësore gjinekologjike në paraburgimin” Jordan Misja dhe burgun “Ali Demi” regjimin e grave, Drejtorinë e Shëndetit Publik Krujë, ku ofrohet ndihma e mjekut psikiatër, me Spitalin Universitar “Nënë Tereza” i cili ofron trajtime specifike shëndetësore. Në ndryshim nga të gjitha vitet stafi shëndetësor është trajnuar dhe po trajnohet nga Shoqata Stop/Aids mbi sëmundjen e sidës. Qëllimi kryesor i këtij trajnimi është sensibilizimi i stafit mediko social dhe policor mbi sëmundjen e AIDS. Ky trajnim realizohet edhe për të dënuarit dhe paraburgosurit ku dhe ata trajnohen dhe sensibilizohen mbi masat profilaktike të kësaj sëmundje.

Prokuroria dërgon dosjen në gjykatë për konfliktin te “Sadik Petrela”

TIRANË - Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet në lidhje me ngjarjen e ndodhur më 2 shkurt të këtij viti në rrugën “Sadik Peterela”, ku anëtarë të dy familjeve janë konfrontuar me thika dhe sende të forta, duke shkaktuar plagosjen e dy personave. Lajmi u konfirmua të martën nga burime pranë kësaj prokurorie, të cilat pohuan se dosja penale në ngarkim të autorëve të dyshuar të kësaj ngjarjeje është dërguar për shqyrtim në Gjykatën e shkallës së parë Tiranë. Hetimet për këtë çështje nisën në muajin shkurt nga Prokuroria e Tiranës pas arrestimit të shtetasve Izmir Zaka, 52 vjeç dhe tre djemve të tij, Nertil, Armand e Bledar Zaka, përkatësisht 20, 23 dhe 24 vjeç, banues në Tiranë, me akuzën “vrasje me dashje të mbetur në tentativë, e kryer në bashkëpunim”. Sipas të dhënave hetimore, personat e mësipërm akuzohen se kanë tentuar të vrasin me thikë dhe sende të forta për motive të dobëta mbrëmjen e 2 shkurtit në rrugën “Sadik Petrela” dy pjesëtarë të familjes Oshafi, Ramazan Oshafi, 52 vjeç dhe djalin e tij, Altinin, 26 vjeç, banues në Tiranë. Si pasojë e konfliktit që, degradoi nga fjalët në përdorimin e armëve të ftohta, mbetën të plagosur rëndë dy pjesëtarët e familjes Oshafi.

16 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›