E Diel, 1 Nëntor 2026

Qëllon me tullë në kokë kunatën, ndalohet 34-vjeçarja



DURRËS – Një sherr në familje është bërë shkas që një grua të qëllojë me tullë në kokë kunatën e saj, e cila më pas është shoqëruar në komisariat. Burimet zyrtare të Drejtorisë së Policisë së Durrësit bëjnë të ditur se dy ditë më parë nisi “procedimi penal në gjendje të lire në ngarkim të shtetases Bora Islami, lindur në Pukë dhe banuese në fshatin Bisht Kamëz, në komunën e Katundit të Ri. Sipas tyre, shkak për nisjen e këtij procedimi, u bë një konflikt që kishte ndodhur në familjen Islami po atë ditë. Të hënën në mesditë shtetasi Xh. I., lindur në Golem të rrethit të Gjirokastrës dhe banues në të njëjtin fshat me 34-vjeçaren, ka bërë kallëzim në polici. 70-vjeçari Islami pretendon se dy ditë më parë, rreth orës 06.00, gjatë nje konflikti për motive të dobëta, shtetasja Bora Islami, e cila është kunata e tij, ka goditur me mjete të forta (tulla e gurë) shtetasen E.I., (motra e Xh.I.) e cila banon në shtëpinë e tij, si dhe ka thyer xhamin e derës së banesës së tij. Burimet policore shprehen se prej disa kohësh kishte debate në familjen Islami mes kunatash. Sipas zëdhënëses së Policisë, Ornela Cako, “materialet për veprat penale të “dëmtimeve të tjera me dashje” dhe “dhunimit të banesës”, të kryera nga shtetasja Bora Islami, iu kaluan për ndjekje prokurorisë së Durrësit.

Vdes në saunën e anijes turisti i moshuar nga Turqia

DURRËS – Një turist turk 73-vjeçar, i cili udhëtonte me një anije krocere, ka mbërritur i vdekur në portin e Durrësit, pasi dyshohet se ka kaluar një infarkt teksa ndodhej në saunën e një prej dhomave të anijes turistike. Burime zyrtare nga Drejtoria Rajonale e Policisë së Kufirit dhe Emigracionit, bënë të ditur dje se trupi i pajetë i shtetasit Ozgen Huseyin Erol, lindur dhe banues në Nesvehir (Turqi), ka mbërritur të hënën rreth orës 11.00 me anijen turistike "Dalmacia" në Portin Detar të Durresit. Sipas grupit hetimor që mbërriti menjëherë në anije, rezultoi se viktima ka qenë duke bërë sauna në një dhomë të anijes turistike dhe është rrëzuar në tokë pa ndjenja. Burimet shtuan se i moshuari nga Turqia kishte hipur në këtë anije të shtunën e kaluar në portin e Izmirit (Turqi) për një udhëtim turistik prej 7 ditësh, ku ishte parashikuar edhe një ndalesë në qytetin bregdetar të Durrësit. Në momentin kur gjeti vdekjen turisti i moshuar, anija ndodhej në ujrat territoriale të Greqisë. Pasi ka mbërritur krociera në Durrës, ekspertët i kanë bërë ekzaminimin viktimës, si dhe kanë marrë dëshmitë e bashkëudhëtarëve. Trupi i viktimës është nisur drejt Turqisë ditën e djeshme, pasi janë kryer të gjitha procedurat ligjore nga pala shqiptare.

16 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›