E Diel, 1 Nëntor 2026

Qirjako: Shqipëria ende 500 mijë pasuri të paregjistruara



TIRANË - Kryeregjistruesi, Arben Qirjako në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare tha se në vendin tonë janë ende të paregjistruara rreth 500 mijë pasuri të paluajtshme. Sipas tij në fillim të viteve 90-të përllogaritet të kenë ekzistuar 3 milionë pasuri. Qirjoko u shpreh se deri tani regjistrimi fillestar ka kaluar në 80 për qind të zonave rurale, ndërsa është kompletuar me të gjitha parametrat në 20 për qind të zonave urbane. Sipas tij ky është një proces në vazhdim dhe nëpërmjet një projekti të Bankës Botërore synohet që brenda katër viteve të regjistrojmë 500 mijë pasuri të tjera të paregjistruara, proces që tashmë ka filluar në 14 zona kadastrale. Sistemi i ri i Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme ka filluar të funksionojë në mars të vitit 1996. Deri në atë kohë për zonat rurale nuk ka pasur asnjë institucion ku mund të regjistroheshin titujt e pronësisë, në mënyrë që të kishim një treg të normuar shkëmbimesh. Ndërsa për zonat urbane, funksiononte ajo që quhej regjistrimi hipotekor. Duke iu referuar shifrave kreu i Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme deklaroi se që nga mesi i vitit të kaluar dhe deri tani janë regjistruar rreth 15 mijë apartamente të prapambetura, të cilët nuk ishin regjistruar. Me këtë hapësirë që u krijua janë regjistruar të gjitha godinat shumëkatëshe, të cilat kanë aplikuar për regjistrim në përputhje me ligjin e regjistrimit të pasurive të paluajtshme. Ndërsa për mbivendosjen e pronave kryerregjistruesi u shpreh se ky ka qenë një problem i madh i konstatuar vitin e shkuar. Për një pronë të caktuar ka të regjistruar dy ose me shumë pronarë dhe kjo ka ardhur si rezultat i sistemit të vjetër të regjistrimit të pasurive, i cili nuk merrte parasysh kufijtë e pronës. Ka institucione që për të njëjtën pronë kanë lëshuar dy ose më shumë akte të marrjes së tokës në pronësi. Brenda vitit 2009, për çdo pasuri të regjistruar pranë ZRPP-së, të ketë vetëm një pronar. Për të luftuar fenomenin e korrupsionit Sektori i Kontrollit Tekniko Ligjor pranë ZQRPP-së ushtron kontroll permanent për të gjitha praktikat. Si rezultat i këtyre kontrolleve janë bërë me dhjetëra shkarkime punonjësish, janë marrë qindra masa disiplinore dhe janë dërguar në prokurori me dhjetëra praktika të paligjshme. Rezultatet e hetimit nuk varen nga ne, por nga prokuroria. Të gjitha këto janë bërë brenda një afati kohor pak më shumë se një vit dhe ne po punojmë në vijimësi dhe me shumë durim për të përmirësuar imazhin e institucionit.

16 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›