E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grabitja e tregtarëve në Milot, dy në pranga dhe një tjetër në kërkim



LEZHË – Pas 10 ditësh policia e Lezhës ka arritur të prangosë autorët e dyshuar për grabitjet me armë të dy vëllezërve tregtarë nga Dibra, ndërkohë që një tjetër është identifikuar edhe është shpallur në kërkim. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Lezhës bëjnë të ditur se mbrëmjen e së hënës, pas një aksioni të organizuar nga komisariati i Policisë së Kurbinit, u bë kapja e shtetasve; Jetmir Myrto dhe Fatbardh Tafili, të dy lindur dhe banues në fshatin Shullaz. Po ashtu, është shpallur në kërkim edhe bashkëfshatari i tyre Arjan Lami. Sipas njoftimit zyrtar të policisë, “këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, ishin të dyshuarit kryesorë për ngjarjen e datës 7 korrik, e ndodhur në Fushë – Milot, ku përmes dhunës dhe kanosjes me armë, të tre këta persona dyshohet se iu kanë vjedhur një sasi të konsiderueshme parash vëllezërve Crroj nga fshati Maqellar i rrethit të Dibrës. Prokuroria e rrethit ka lëshuar urdhër-ndalmin edhe për Lamajn.
Ngjarja
Dy vëllezërit S.C. dhe A.C. janë nisur rreth orës 22 të mbrëmjes së datës 7 korrik nga shtëpia e tyre në Maqellarë në drejtim të Lushnjes, ku do të merrnin furnizim për dyqanin e tyre. Teksa udhëtonin me mjetin e tyre tip Benz, furgon, në orën 3 të mëngjesit, ata kanë konstatuar se një mjet po i ndiqte nga pas. Sapo kanë hyrë në rrugën dykalimëshe të Milotit që të nxjerr në autostradën Lezhë-Tiranë, makina e tipit “Fiat – Uno”, me ngjyrë të bardhë, me targa italiane, i ka dhënë sinjal furgonit që të ndalonte. Fillimisht, dy vëllezërit nuk kanë ndaluar dhe kanë vazhduar rrugën në drejtim të Fushë Milotit. Në afërsi të mbikalimit të superstradës, automjeti tip Fiat – Uno, i ka bllokuar rrugën furgonit, dhe nga ky automjet kanë dalë tre persona, të cilët nuk ishin të maskuar. Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Lezhës, njëri prej tyre mbante një armë automatike tip “Kallashnikov” në dorë. Pasi kanë ndaluar furgonin, autorët kanë kërkuar që dy vëllezërit të zbresin nga mjeti. Kur ata kanë zbritur nga furgoni, dy prej autorëve kanë hyrë në makinë, duke marrë një sasi të konsiderueshme të parave që dy vëllezërit nga Maqellara i kishin me vete për të blerë zarzavatet në Lushnje. Autorët pasi kanë marrë lekët, janë larguar duke mos ushtruar dhunë ndaj tyre.
Hetimi
Duke marrë shkas nga kjo ngjarje policia ka ngritur grupin hetimor, të cilët kanë ndërrmarrë një sërë masash dhe ushtruar kontrolle në të gjithë zonat që përfshihen në rrethin e Kurbinit. Sipas zëdhënëses së Policisë, Liona Nika, “agjentët kanë shoqëruar shumë persona, të cilët janë marrë në pyetje lidhur me ngjarjen në fjalë. Nisur nga ky operacion, zhvilluar nga Komisariati i Policise se Kurbinit, u bë i mundur bllokimi në cilësinë e provës materiale, të automjetit tip Fiat – Uno, me targa italiane, ku sipas deklarimeve të marra, ka rezultuar të jetë mjeti me të cilin është kryer grabitja. Kjo ka çuar gjurmët tek autorët e dyshuar të grabitjes, të cilët banojnë në zonën shumë afër vendit ku ndodhi ngjarja. Tashmë, ndaj Jetmir Myrtos dhe Fatbardh Tafilit pritet të komunikohet masa e arrestit, ndërkohë që Arjan Lama është shpallur person në kërkim. Të tre akuzohen për veprën penale të “grabitjes me armë në bashkëpunim”. Kjo ngjarje riktheu frikën e grabitjeve të dhunshme ndaj tregtarëve dhe qytetarëve të ndryshëm në aksin Milot-Burrel, të ndodhura para 11 vitesh, të cilat u pasuan me shumë viktima.

Aksident automobilistik, plagoset rëndë 28 vjeçari

DURRËS - Një 28-vjeçar mbeti i plagosur rëndë, pasi humbi drejtimin e mjetit me të cilin udhëtonte në një nga rrugët e qytetit të Durrësit. Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Qarkut, bënë të ditur se Indrit Sula, 28 vjeç, lindur në Laç dhe banues në lagjen Nr. 15 të qytetit bregdetar është aksidentuar të hënën në mbrëmje, pasi duke udhëtuar në aksin rrugor Spitallë–Porto Romano me automjetin e tij tip Fuoristradë Mitsubishi, me targa DR 4136 E, ka humbur kontrollin e mjetit, duke dale nga rruga. Mësohet se 28-vjeçari Sula ndodhet në spitalin rajonal të Durrësit në gjëndje të rëndë për jetën. Një grup ekspertësh po hetojnë për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit.

16 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›