Suedia lë të lirë Hamdi Haklajn
Provat e prokurorisë nuk e kanë bindur Drejtësinë suedeze. 70-vjeçari ishte personi më i kërkuar nga Interpoli Shqiptar
Tiranë - Pas më tepër se 11 muajsh izolimi nga autoritetet suedeze, Hamdi Haklaj është i lirë. Djali më i madh i familjes së Muharrem Haklajt u vu në pranga vetëm dy ditë para se të mbushte 69 vjeç, më 13 mars të vitit të kaluar, ndërsa ishte i pari që arrestohej nga familja Haklaj, anëtarët e së cilës sipas procesit gjyqësor për vrasjen e deputetit Azem Hajdari u konsideruan si organizatorët dhe ekzekutorët kryesorë të atentatit, gjë që vetë i arrestuari e kishte hedhur poshtë.
Azili
Hamdi Haklaj ka arritur të sigurojë qëndrimin e tij në Suedi duke u konsideruar si një azilant politik, ndërsa është rrëzuar kërkesa e parë zyrtare për sjelljen e tij në Shqipëri. 70-vjeçari Haklaj ishte personi më i kërkuar nga Interpoli Shqiptar që u arrestua nga autoritetet suedeze pas 11 vjetësh në kërkim në Shqipëri. Hamdi Haklaj, punonjës i policisë për vite me radhë, akuzohej për disa vrasje të kryera në bashkëpunim, nga të cilat Prokuroria e Rrethit të Tropojës kishte mundur të faturonte kundrejt tij tri prej tyre. Por provat e sjella nga prokuroria nuk e kanë bindur Drejtësinë suedeze, e cila i ka konsideruar si të pamjaftueshme. Me gjithë interesimin, autoritetet shqiptare qoftë të Ministrisë së Drejtësisë, qoftë të Interpolit, nuk kanë patur të dhëna në lidhje me lirimin e tij. Interpoli dhe Ministria e Drejtësisë nuk kanë pranuar të kenë dijeni për këtë lirim.
Akuza
Hamdiu, djali i madh i kësaj familjeje, i akuzuar nga Drejtësia shqiptare për një mori krimesh makabre, kishte fituar statusin e azilantit politik në Suedi. Sipas zyrtarëve të dikasterit të Drejtësisë, dosja penale në ngarkim të të shumëkërkuarit Hamdi Haklaj u transferua drejt Suedisë dhe Drejtësia e këtij vendi do të bëjë shqyrtimin e saj. Në fakt, ky vendim i gjykatës ka ardhur fill pas hetimeve që tre prokurorët suedezë bënë në Shqipëri, të cilët në konkluzionin e tyre u shprehën se jeta e Hamdi Haklajt rrezikohej nëse vinte në Shqipëri. Në vendim, gjykata suedeze argumenton se e kaluara e hidhur e Hamdi Haklajt, si dhe akuzat e shumta politike të hedhura në drejtim të tij, janë arsye të forta që dëshmojnë se Drejtësia shqiptare nuk mund ta gjykojë në mënyrë të paanshme të akuzuarin Haklaj. Vetëm pak javë pasi përfundoi në pranga në shtetin suedez, Hamdi Haklaj bëri kërkesë për azil politik. E kaluara e familjes së tij, katër vëllezërit i janë vrarë dhe kulla është rrafshuar nga shpërthimet e eksplozivit, si dhe akuzat e shumta politike, e bindën Drejtësinë suedeze të firmosë azilin politik për Haklajn. Mosbesimi i theksuar ndaj Drejtësisë shqiptare, si dhe hasmëritë e shumta në Shqipëri, e detyruan Hamdi Haklajn të bëjë një tjetër kërkesë: të gjykohej nga një gjykatë suedeze. Ai shpresonte se vetëm në këtë mënyrë mund të dilte në shesh e vërteta, pasi besimi se Drejtësia shqiptare mund ta gjykonte paanshmërisht i kishte humbur. Nuk vonoi shumë, kur Gjykata e Goteborgut vendosi të favor të Haklajt. Sipas vendimit të kësaj gjykate, i shumëkërkuari nga Drejtësia shqiptare u gjykua nga Drejtësia suedeze. Hamdi Haklaj u arrestua në Suedi pas më shumë se 15 vitesh në kërkim. Ai ishte shndërruar në një nga personazhet më të njohur në Veri të vendit qysh nga vitet ’90, ndërsa akuzat që i janë atribuar janë të shumta. Por pavarësisht kësaj, zyrtarisht nuk ka asnjë akuzë të provuar ndaj personit që për shumë kohë ishte kthyer në mitin e paprekshëm të Veriut të vendit.
12 Shkurt 2008