E Shtunë, 31 Tetor 2026

Akuza merr denoncimin e çiftit, nisin hetimet për policinë

LAÇ – Më në fund kanë mbërritur në Prokurorinë e Kurbinit konkluzionet e mbledhura nga ekspertët e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Ministrinë e Brendshme si dhe denoncimi i kryefamiljarit Besnik Bushati për policinë pas vdekjes së vajzës së tij. Burime në organin e akuzës pohojnë se pas grumbullimit të të gjitha të dhënave dhe dëshmive, pritet të nisë shqyrtimi i çështjes gjatë kësaj jave. Dje është marrë në pyetje edhe Besnik Bushati së bashku me bashkëshorten e tij, Dalinën. “Unë kërkoj që organet e Drejtësisë të nxjerrin të vërtetën”, - është shprehur babai i Klodianës së vogël, e cila u nda nga jeta një javë më parë për shkak të mungesës së ushqimit. Çifti Bushati është shoqëruar në polici si dëshmitarë në lidhje me vjedhjen e një lope. Kur ata janë kthyer në banesë, ku kishin 4 fëmijë të mitur, Klodiana 2.5-muajshe është gjetur e sëmurë dhe pas disa orësh është ndarë nga jeta. Fillimisht, Besnik Bushati akuzoi policinë në lidhje me shkaqet që sollën vdekjen e fëmijës së tij. Kjo u refuzua nga policia, ku strukturat e saj në të gjitha nivelet, duke filluar nga Komisariati i Policisë së Kurbinit, Drejtoria e Policisë së Lezhës dhe Ministria e Brendshme, bënë deklarata disi kontradiktore për këtë rast. Tashmë i mbetet prokurorisë të zbardhë këtë rast, ku në njërën anë është denoncimi i bërë për policinë nga avokati i familjes Bushati dhe në anën tjetër janë pretendimet e policisë së Kurbinit. Ndërkohë, Bashkia e Mamurrasit ka vazhduar të ofrojë ndihmë për familjen e varfër. Vetë kryebashkiaku Dedë Ndreca dhe disa sipërmarrës do të ndihmojnë financiarisht familjen 5-anëtarëshe që jeton në fshatin Fushë-Mamurras.

Sherr për pronën, rrahin kushëririn e tyre

ELBASAN – Nuk kanë kursyer as kushëririn e tyre, të cilin e kanë dhunuar në lidhje me pronësinë e një objekti, por policia e Elbasanit arrestoi të hënën në mëngjes dy vëllezër. Burime zyrtare të policisë thanë se “Xhevahir dhe Ferdinand Dyrma, lindur dhe banues në fshatin Linas të Komunës Mollas, në rrethin e Elbasanit, akuzohen të kenë plagosur me mjete të forta bashkëfshatarin e tyre, Veiz Dyrma”. Mësohet se Dyrma ndodhet jashtë rrezikut për jetën nën kujdesin e mjekëve në Spitalin Kirurgjik të Elbasanit, ndërsa ndaj dy vëllezërve është ngritur akuza ‘plagosje e rëndë me dashje në bashkëpunim’.

12 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›