Meta: Qeveria të rishikojë ligjin për gjobat e biznesit
• Komisioni parlamentar i Integrimit Evropian u mblodh dje për të diskutuar mbi shqetësimet dhe vërejtjet e bëra nëProgres-Raportin e Komisionit Evropian për vitin e kaluar, si dhe për hartimin e një programi pune në kuadër të procesit të Stabilizim-Asocimit dhe integrimit të vendit. Kryetari i Komisionit parlamentar të Integrimit, Ilir Meta tha se, “këto shqetësime do të jenë prioritetet kryesore jo vetëm të Qeverisë, por edhe të Parlamentit dhe të gjithë institucioneve shqiptare, në mënyrë që të kemi një progres më substancial të të gjithë procesit të Stabilizim-Asociimit dhe integrimit evropian të vendit në përgjithësi”. “Një nga shqetësimet kryesore të Progres-Raportit të Komisionit Evropian është përafrimi i legjislacionit tonë me vendet e BE-së, gjë që kritikon jo vetëm qeverinë, por në mënyrë të veçantë edhe Parlamentin për cilësinë e legjislacionit që miratohet”, tha Meta. Nga ana e saj, ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, vlerësoi punën e bërë nga Komisioni parlamentar i Integrimit Evropian, si dhe kërkoi një bashkëpunim më të ngushtë në sfidat e ardhshme të vendit në kuadër të integrimit evropian.