E Hënë, 2 Nëntor 2026

Cili është presidenti im?

Një bregdet i bukur, histori interesante, njerëz musliman që mund të jetojnë në paqe ... Kjo ishte përgjigjja e presidentit të SHBA-së, Xhorxh W. Bush ndërsa pyetej nga gazetari Andi Bejtja se çfarë ndjesie kishte kur ndërmendej për Shqipërinë.

Për bregdetin e bukur kemi bërë reklama edhe në median ndërkombëtare, madje presidenti Bush kalon shpeshherë në ishujt grekë dhe natyrshëm do të ketë dëgjuar edhe për bregdetin tonë. Edhe për historinë tonë interesante është normale që të jetë në dijeni, kur në këtë copëz vend janë përplasur që nga hordhitë e dyndejeve barbare, e deri tek perandoritë e mëdha që mbajtën botën nën kontroll, për të përfunduar tek sundimi më i turpshëm në historinë tonë; zgjedha komuniste.

Ndër citimet e tij ka vetëm një gjë befasuese; si është e mundur që presidenti Bush është në dijeni të faktit se Shqipëria ka njerëz myslimanë? Ne e kemi fshirë nga historiografia jonë faktin se në këtë vend jeton një shumicë absolute myslimane. Në asnjë tekst zyrtar shkollor apo akademik nuk mund të gjesh të artikuluar drejt e pa frikë një fakt të tillë. Në diskursin publik, të gjithë përpiqen t’i fshihen kësaj të dhëne faktike, duke shfaqur rëndshëm sindromin e të „konvertuarit“. Aq sa edhe vendim-marrësit tonë të nderua, ndërsa i pyet për besimin fetar shprehen shpesh herë të kompleksuar përpara ndërkombëtarëve se „kam gruan ortodokse“. Kjo nuk është një batutë rruge as ndonjë gallatë parlamenti, por një e vërtetë që zbulon një ndër sëmundjet themelore të shoqërisë shqiptare; fshehja ndaj vetvetes, tëhuajësimi, urrejtja e asaj që janë duke admiruar atë që të tjerët kanë. Në mos nuk besoni këtë, mjafton të lexosh fjalimin e presidentit Alfred Moisiu mbajtur përpara studetëve të Oxford-it në Britaninë e Madhe.

Presidenti ynë jo vetëm që deformon shifrat që tregojnë përkatësinë fetare të shqiptarëve, por edhe aq sa pranon, mundohet të thotë se shqiptarët kanë rrënjë të krishtera dhe se nga pikpamja e një analize vertikale shqiptarët nuk janë myslimanë, por janë të krishterë vertikalisht, ndërsa horizontalisht na qenkan myslimanë pasi kështu e kanë thënë rrethanat historike nëpër të cilat e ka kaluar kombi ynë. Analiza e presidentit Moisiu jo vetëm që është banalitet në këndëvështrimin shkencor, por një keqinformim i turpshëm që bie ndesh me dëshirën e shumicës së shqiptarëve.

Ky shkrim nuk ka për qëllim analizimin e një fjalimi të hershëm e mesa duket konstant të presidentit Moisiu, por për të evidentuar një fakt që të tjerët e thonë për ne pa komplekse dhe me dashamirësi, ndërsa elita jonë përpiqet ta fshehë. Është me të vërtetë e çuditshme se si presidenti Bush qenka në dijeni të faktit se në këtë vend jetojnë myslimanë në paqe dhe në përputhje me rrjedhat e një shoqërie moderne? Do të isha shumë kurioz të dija se si do të sillej presidenti Moisiu, pas kësaj deklarate, ndërsa do të takohet me Presidentin Bush. A do t’i qëndrojë ende deklarimeve të bëra në Oxford, apo tashmë analiza e tij ka ndryshuar dhe shqiptarët rezultojnë që edhe vertikalisht të jenë myslimanë në shumicën e tyre, packa se ai i përket një besimi tjetër?! Pas vendosjes përballë të këtyre dy deklarimeve, besoj se kam të drejtë të pyes; cili është presidenti im?!

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›