E Hënë, 2 Nëntor 2026

Koha për vendimmarrje

Për Kosovën duhet të merret një vendim, pa marr parasysh se çfarë vendimi do të jetë ai. Nëse vendimi është pro rezolutës së re, kjo do të ishte për të mirën e të gjithëve. Por, edhe nëse nuk është pro rezolutës, vendim duhet të merret dhe t'i behet e ditur opinionit se çfarë po ndodh. Të dy anët janë vendime, vetëm duhet qartësuar se të cilit pol janë, negativ apo pozitiv

Çfarë ka andej nga Prishtina?, ishte një pyetje që më drejtohej nga një mik i Tiranës. Përgjigja që më erdhi ishte, kohë e pritjes “vendimtare” apo shikim drejtë Heiligendammit të Gjermanisë, se çfarë do të vendoset në samitin e G8 për Kosovën. Ndërsa që atje vazhdojnë diskutimet dhe mosmarrëveshjet në të vyejtën kohë mes SHBA-ve dhe Evropës në njërën anë dhe Rusisë në anën tjetër, në Kosovë qytetarët vazhdojnë të komentojnë dhe japin vlerësime se çfarë do të jetë fundi i gjithë kësaj osideade apo cilët do të jenë hapat e ardhshëm.

Ajo që po ndodhë tani, qoftë në KS apo në Samitin e G8-s është lojë tipike diplomatike, që po luajnë Bushi dhe Merkeli në njërën anë dhe Putin në anën tjetër apo Perëndimi dhe Lindja, sepse ndryshe nuk është diplomacia, kur deklarohet se do të bisedojmë edhe më tutje apo se do të mundohemi të gjejmë gjuhë të përbashkët. Në fakt kjo do të thotë se nuk mund të pritet një vendim i shpejt për statusin e Kosovës dhe as që mund të gjendet një gjuhë e përbashkët dhe se tani loja vazhdon se kush do të marr më shumë nga kjo betejë. Deri sa vendimmarrja për statusin rrezikon të shtyhet deri në vjeshtë. Nëse shtyhet definimi i statusit rreziku rritet, gjë që dikush duhet të marr përgjegjësinë për çdo devijim të situatës politike dhe të sigurisë në Kosovë. Fajtorët kujdestar janë si zakonisht shqiptarët.

Megjithatë, a i ka shkuar në mendje ndokujt t’i përkujtojë Putini kundërshton pavarësinë e Kosovës, se në vendin, qëndrimet e të cilit po mbron ai, Serbi, po bëhen gërmime për një varr masiv me trupat e shqiptarëve. Kjo do t’i sqaronte Putinit se, pse nuk është situata në Kosovë e njëjtë me territoret qe ai i përmend dhe pse Kosova nuk krijon precedent për republikat ish Sovjetike dhe shtetet e Evropës, t'i tregohet se pse Kosova nuk mund të jetë më nën qeverisjen e Beogradit.

Bushi dhe Merkel duke ia përkujtuar këtë Putini, do t’i bëjnë të qartë se askush nuk e ka ndërmend të shpresojë në mëshirën e tij dhe ndryshimin e qëndrimit rusë për Kosovën. Për Kosovën duhet të merret një vendim, pa marr parasysh se çfarë vendimi do të jetë ai. Nëse vendimi është pro rezolutës së re, kjo do të ishte për të mirën e të gjithëve. Por, edhe nëse nuk është pro rezolutës, vendim duhet të merret dhe t'i behet e ditur opinionit se çfarë po ndodh. Të dy anët janë vendime, vetëm duhet qartësuar se të cilit pol janë, negativ apo pozitiv.

Marrja e këtij vendimi do të qartësonte saktë se kush ka fajin dhe kush duhet të bartë përgjegjësin e dështimit të unifikimit. Kosova nuk mund të pres, jo një vit siç kërkon Rusia, por as edhe një javë më shumë. Kosova, në rast se dështon rezoluta, duhet të shkoj në variantin e dytë, shpalljen dhe pastaj njohjen e pavarësisë së Kosovës. Kjo duhet të ndodh me se largu deri në mesin e këtij muaji, ose të paktën në javën e parë të muajt korrik, atëherë kur edhe ShBA-ja do ta festoj ditën e pavarësisë së vet. Kjo ndoshta do ta impresiononte ShBA-në që të njoh Kosovën shtet, sepse është momenti më i mirë për të avancuar idealet e demokracisë dhe të lirisë. Këtë pavarësi duhet të na njohin të gjithë ata qe na kanë mbështetur deri me tani dhe duhet kërkuar që të na mbështesin edhe me tutje. Ne fund të fundit kjo është në të mirë të te gjithëve dhe në radhë të parë të qytetarëve të Kosovës dhe Evropës së ardhshme, sepse Kosova është problem në oborrin e saj.
Evropa, vazhdojmë të përsërisim, duhet të jetë me e zëshme dhe me e vendosur në këtë çështje, ndoshta shumë më shumë sesa ShBA-ja, sepse Kosova është çështje evropian në radhë të parë. Rusia në fund të fundit as që ka çka kërkon në Kosovë nëse vazhdon të sillet sipas kësaj logjike.

Prandaj neve na duhet zgjidhja, nuk duhet të varet në fund të fundit e tëra vetëm nga Bushi dhe Putini, siç deklaron kryeministri ynë, Agim Çeku, i cilit po vrapon të marr përsipër gjithë barrën e politikanëve të Kosovës, duke u djegur si politikanë. Më këtë ai po shpëton apo amniston nga përgjegjësia anëtarët tjerë të Grupit të Unitetit, Sejdiun, Berishën, Thaqin e Surroin. Ne duhet të punojmë për pavarësinë e Kosovës dhe të kërkojmë njohjen e saj, ne duhet të përgatitemi për këtë hap dhe të jemi të sigurt në veprimet tona, duke njoftuar dhe sinjalizuar të gjithë miqtë dhe mbështetësit tanë. ShBA-ja dhe Evropa duhet të na përkrahin në këtë çështje, sepse njohja e Kosovës si shtet nga ana e tyre, është garanci për të ardhmen e Kosovës. Rregull i të Drejtës Ndërkombëtare është që shteti apo organizata që të njeh si shtet të pavarur duhet të marr në mbrojtje. Kjo ndodhë, sepse ekziston rreziku që në momenti e shpalljes së pavarësisë shteti pretendues, si në këtë rast Serbia, të sulmojë territorin për ta riokupuar apo ndarë atë territor, si p.sh Qipro.

Çdo variant tjetër, siç tentohet zvarritja e procesit, duhet hedhur poshtë. Nëse dikush mund të pres për këtë problem, kjo është Rusia dhe Serbia të cilat po ndjekin filozofi politike të gabuar, por Kosova nuk ka kohë për të humbur. Rusia po kopjon politikën e negociatave që vazhdon tani 40 vjet në Lindjen e Mesme, përkatësisht në Palestinë. Kjo do të thotë negociata të pakufishme dhe pa rezultate konkrete. Kjo logjik në Kosovë nuk funksionon dhe nuk duhet pranuar. Kosova kurrë nuk ka qenë dhe as nuk është, siç tenton Lavrovi ta krahasoj, me Palestinën. Krahasimet e tilla janë të pavend dhe të rrezikshme për shumë arsye. Ne nuk po kërcënojmë Serbi fqinje për ta zhdukur nga faqja e dheut, në po kërkojmë pavarësinë e vendit nga një vend që sot në territorin e tij hap varre masive me trupat e shqiptarëve, që ka tentuar t’i fsheh krimet.

Koha është për të vendosur apo marr një vendim. Ai vendim duhet të shihet dhe lexohet nga të gjithë, se çfarë është përmbajtja dhe kush është për dhe kundër tij. Fajtori duhet të emërtohet, edhe nëse kjo është Rusia. Holbruku ka thënë se në rast se rezoluta dështon në KS të OKB-se, fajin ose përgjegjësin për këtë duhet ta bart Rusia. Shumë i drejtë është ky konstatim, nuk mund të jen shqiptaret fajtor për diçka që nuk kanë bërë apo për nxitje të rrezikut haptas, siç po bënë Rusia. Rusia me veprimet e saja po dëmton procesin, po dëmton ndërtimin e marrëdhënieve të shëndosha në rajon dhe integrimin e rajonit në BE.
E vërteta është se, Rusia nuk e ka aq me Kosovën sa po e përdor Kosovën për ta frikësuar Evropën dhe për t'ia treguar muskujt ShBA-ve, për shkak të interesimit të shprehur nga kjo e fundit për t'i vendosur raketat në Evropë. Ky është halli i Rusisë dhe Kosova është vendi i duhur për t'ia filluar "luftës" diplomatike me Perëndimin ose krijimin e "një lufte të re të ftohtë" mes Lindjes dhe Perëndimit. Putini atë kërkon, sepse kështu e ka me lehtë për ta kontrolluar Lindjen, duke mbajtur sa me larg mureve të saj Perëndimin. Duke mbajt larg Perëndimin, Rusia kërkon të ketë kontroll të plot mbi shtete e ish BRSS-së dhe ish satelitëve që kishte dikur.

Rusia përmes Kosovës dëshiron të tregoj se është ushtruar dhe tani është bërë me e fuqishme. Po, pse duhet paguar haraçin e kësaj “ofanzive” diplomatike ruse Kosova dhe a duhet lejuar të vazhdojë edhe me tutje? Derisa Perendimi nuk do t'ia ktheje me të njëjtën monedhë Rusisë ajo do të vazhdoj më këtë avaz. Nëse Rusia dëshiron të sillet si e fortë, këtë duhet ta bëjë edhe ShBA-ja e Evropa. Të tërhiqen nuk guxojnë në asnjë mënyrë. Tërheqja do të thotë shkatërrim i gjithë asaj që është investuar në rajon, sidomos këto tetë vitet e pas luftës. Tërheqja do të thotë fundi i politikës evropiane dhe fillimi i dominimit të Rusisë. Do të thotë mbrapsje e ShBA-ve në kufijtë e Hemisferës Perëndimore dhe lenia e Evropës në mëshirën e Rusisë ekspansioniste.
A do të lejohet të ndodh kjo? Nuk duhet besuar dhe as qe duhet provuar. Kjo do të thotë fundi i demokracisë dhe rikthimi i autarkisë dhe aristokracisë së stilit politikë rusë qe tani po zgjohet. ShBA-ja duhet të veproj shpejt dhe me mençuri dhe Evropa duhet ta mbështes fuqishëm dhe pa rezervë. Evropa nuk po tregon shenja forcimi, me tepër po tregon shenja pafuqie dhe frike ndaj Rusisë. Edhe Evropa duhet ta përdorë, siç po benë Rusia, Kosovën për ta treguar fuqinë e saj politike dhe vendosmërinë për të ecur tutje e bashkuar. Rusia po tenton qe Kosovën ta përdor për ta “dobësuar” Evropën dhe përçarë Aleancën Veri-atlantike. Shumë e qartë është politika ruse, "përçaj dhe sundo", nuk është ndryshe, përderisa nxitë dhe venë në mëdyshje disa nga vendet e BE-së për të marrë vendim për të ardhmen e Kosovës, bazuar në pakon e Ahtisarit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›