E Diel, 1 Nëntor 2026

Bukë e zezë

Edhe pse vetëm dy ditë kanë kaluar nga triumfi i demokratit Barack Obama në zgjedhjet në SHBA, duket qartë se një takëm njerëzish, dhe këtu marr parasysh edhe hipokritët e panumërt, e kanë të vështirë të shquajnë te presidenti i ardhshëm amerikan ndonjë virtyt të pavarur nga ngjyra e lëkurës. Edhe pse historia e Obamës shembëllzon ëndrrën e emancipimit të pakicave në SHBA dhe gjetiu, nuk ka dyshim se ai i fitoi zgjedhjet si kandidat i Partisë Demokrate, jo si përfaqësues i racës së vet; dhe duke shpalosur dhe argumentuar me durim një program të qendrës së majtë të cilin e pranuan shumica e amerikanëve, jo ndonjë program për rimëkëmbjen e pakicave dhe revanshin e skllevërve të dikurshëm ndaj pronarëve përsëri të dikurshëm.

Prandaj zgjedhjet e 5 nëntorit të këtij viti nuk sollën në fuqi “racën e zezë”, por zgjodhën në postin më të lartë të ekzekutivit amerikan një njeri, i cili e meriton fitoren njëlloj sa çdo president tjetër në të kaluarën, në mos më shumë. Ky është lajm i mirë, madje i mrekullueshëm për amerikanët dhe për botën mbarë. Nëse imazhi i Obamës president do të ndihmojë sado pak për të shëruar plagët e shumta të komuniteteve zezake dhe në përgjithësi të pakicave të pafavorizuara në SHBA, aq më mirë. U tha edhe se zezakët votuan në masë për shembëlltyrën e tyre; sado që dihet se zezakët tradicionalisht ia kanë dhënë votën e tyre, si komunitet, demokratëve, sikurse dihet që një pjesë e të bardhëve, sidomos në thellësitë rurale të kontinentit, ia refuzuan votën Obamës vetëm për shkak të përkatësisë së tij raciale. Por të gjithë ata që u obsesionuan me ngjyrën e lëkurës janë vetë një pakicë e zhurmshme, e cila ndonjëherë mjerimin e vet filozofik e maskon si anti-konformizëm ose kundërvënie ndaj “sistemit”.

Çuditërisht, rezultatet e së martës dëshmuan se McCain paskësh qenë më afër fitores se ç’kishin lënë të kuptohej mediat; meqë kolapsi financiar global i javëve të fundit e ndihmoi së tepërmi kandidatin demokrat; por edhe sidomos ngaqë shumë votues u tmerruan nga inkompetenca, e mbuluar me një shtresë të trashë makijazhi populist, e kandidates për nënpresident Sarah Palin; prandaj nuk ia dhanë dot votën. Tetë vjet të presidencës Bush tashmë e kanë bindur shumëkënd se presidenti i SHBA nuk mjafton të jetë simpatik, hokatar, popullor me dorë në qafë dhe anti-intelektual; meqë duhet të jetë edhe njeri i informuar, i shëtitur, dijedashës, respektues i traditës intelektuale, madje edhe pak filozof. Vetë McCain dhe Palin, gjatë fushatës parazgjedhore, mbetën deri në fund të tunduar prej populizmit vulgar dhe arrogancës militariste, dhe ashtu nuk arritën dot të distancohen nga Bushi dhe dështimet e tij politike dhe ekzekutive.

Për muaj me radhë republikanët kërkuan të paraqiteshin si partia e hidraulikut Joe (Joe the Plumber), e rendit publik, e pronës, e kishës dhe e Biblës, e familjes, e djersës së ballit, e vlerave të provincës amerikane, e biznesit të vogël e të tjera si këto; edhe pse shumë tema të konsumuara të politikës konservatore, sidomos kultura e udhëheqësisë e pashallarëve me tuje të Amerikës rurale dhe veçanërisht tmerri sa metafizik aq edhe i shtirur ndaj “socializmit” të Obamës tradhtonin më shumë pozicione elitiste, ose të një shtrese që para së gjithash druhej se mos i cenoheshin sado pak privilegjet e veta të hatashme.

Gjatë fushatës, shumëkujt i pat tërhequr vëmendjen një deklaratë pak demagogjike e kandidates Sarah Palin gjatë një takimi me zgjedhësit në Guilford County, North Carolina. Amerika e vërtetë, pat thënë Palin, nuk gjendet në Washington DC, por në këto qytete të vogla, në këto qoshe të vogla të mrekullueshme, kaq pro-amerikane. Kjo tezë për Amerikën “e vërtetë” që do t’ia jepte votën republikanit McCain, dhe Amerikën tjetër, të ylbertë, socialiste, moralisht të rrëgjuar dhe kozmopolite, që do t’ia jepte votën, përkundrazi Obamës, shërbeu, në fakt, si një nga lajtmotivet e fushatës, deri atje sa prej përkrahësve të kandidatit demokrat të pritej, gati-gati, që ta argumentonin pafajësinë e tyre, ose vullnetin e mirë. Për ironi të fatit, Guilford County, ose qoshja e mrekullueshme e Amerikës sipas përcaktimit të Palin, votoi në masë për Obamën: 142 000 vota, përkundrejt 98 000 të republikanëve.

Për këtë farë demagogjie të zbërdhylur nuk bën dot me faj aq McCain-in, sesa etosin e ushqyer prej politikave të administratës Bush, e të kultivuar me entuziazëm nganjë Amerikë e vogël nga shpirti, e padenjë për emrin dhe prestigjin e vet, arrogante, paranoide dhe e dhunshme; e cila nuk pa kurrë ndonjë kontradiktë midis qindra mijëra të vrarëve në Irak për shkak të një lufte të rrënjosur në mashtrim dhe betejave epike kundër abortit, në emër të “jetës së fetusit”; ose kontradiktën tjetër, midis luftës frontale kundër terroristëve që “nuk e duan mënyrën tonë të jetesës”, dhe nëpërkëmbjes së shtuar të të drejtave qytetare brenda dhe jashtë Amerikës, ashtu si Bin Laden-i vetë nuk do të kishte arritur dot kurrë, e që tek e fundit e përkufizojnë mënyrën tonë të jetesës.

Edhe pse ndoshta më i meritueshmi për t’u zgjedhur president mes republikanëve, McCain-i pagoi shtrenjtë gabimet, fajet dhe defektet e një klase amerikanësh të mykur e të perënduar, e cila nuk funksionon dot më jashtë sarajeve kështjella, jahteve në Karaibet dhe fushave të golfit të rrethuara me truproje qen dhe tela me gjemba, kamera dhe sensorë të lëvizjes, e që duket t’i ketë humbur lidhjet jo vetëm me botën mbarë, por edhe me jetën dhe problemet e përditshme të Amerikës aktive, prodhuese dhe intelektualisht pjellore.

Sa për krizën e tregjeve financiare, e cila mund edhe të përfytyrohet si shpagim për indiferencën dhe harbutllëkun e administratës në Washington DC ndaj problemeve të rregullimit të tregjeve dhe të rolit të shtetit në ekonomi, askush nuk e di përse ndodhi pikërisht një muaj para zgjedhjeve, as mund të thotë nëse funksionoi apo jo si gozhda e fundit në arkivolin e qeverisjes republikane. Megjithatë, një nga pasojat afatgjata të kësaj krize duket se do të jetë pikërisht rivështrimi i kultit të ekonomisë së tregut dhe i politikave ekonomike të laissez-faire; meqë, pa ardhur akoma Obama në fuqi, autoritetet federale amerikane u detyruan të shtetëzonin llokma të mëdha të sistemit bankar në SHBA, për ta shpëtuar sistemin nga kolapsi total, edhe pse ashtu flakën përfundimisht në kosh të plehrave neoliberizmin dhe besimin irracional se shteti nuk duhet të ngatërrohet në punët e kapitalit.

Veç refrenit të vjetër fëminor për McCain-in “mik të shqiptarëve” dhe “socializmin” e Obamës, dhe refrenit relativisht më të ri për zgjedhjet e tanishme amerikane si ring konfliktesh raciale, këto ditë më kanë zukatur në vesh edhe zërat kinse anti-establishment të disa snobëve radikalë, herë leninistë e herë fashistë, të cilët këmbëngulin se edhe Obama edhe McCain nuk janë veçse kukulla të cilave ua lëvizin fijet korporatat, bankierët ose Wall Street-i; se vendimi për të zgjedhur Obamën është marrë “tjetërkund”; dhe se vota e lirë e qytetarit amerikan nuk është veçse xhingël me ngjyra që u dhurohet të vegjëlve për të luajtur e për t’u ngushëlluar e për t’i lënë rehat të mëdhenjtë të vazhdojnë pokerin lart në qiell.

Vërtet sistemi e përdor votën për t’u riprodhuar, dhe çdo kandidat nuk mund të ketë shpresë të fitojë, po të mos ketë garantuar ndërkohë se nuk do t’ia cenojë sistemit thelbin; sikurse nuk diskutohet që, pa përkrahjen e korporatave dhe të lojëtarëve kryesorë të tregut ekonomik global, asnjë kandidat për president të SHBA nuk mund të shpresojë t’i mbijetojë seleksionimit të rreptë politik paraprak; mirëpo në momente të tilla kritike jo vetëm për Amerikën, por edhe për botën mbarë, politikat radikale rezultojnë rregullisht kundërprodhuese. Për këtë mjaft të kujtoj se në zgjedhjet e vitit 2000 në SHBA, kandidati demokrat Al Gore mund të kishte fituar lehtë ndaj kundërshtarit George W. Bush, po të mos ishte futur në mes një kandidat i tretë, Ralph Nader, i cili duke luftuar për një program politik radikal, por gjithsesi të afërt me atë të Gore, arriti të rrëmbejë rreth 3 milion vota, prej të cilave pothuajse 100 000 vetëm në Florida. Integritetin politik dhe etik të Nader-it politikan pakkush e vë në diskutim, dhe pozicionet e tij kundër korporatave e korporativizmit, dhe në favor të mjedisit dhe të konsumatorit ende admirohen prej shumë demokratëve; por idealizmi i tij në kufi të donkishotizmit, praktikisht i kushtoi Amerikës dhe botës mbarë tetë vjet të presidencës Bush.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›