Lavdia e të vonuarve
Politikanët shqiptarë nuk e kanë krijuar ende kulturën e të mbajturit përgjegjësi politike në dështimet e qeverisjes së tyre. Ky nivel i të bërit politikë është pjesë e një mentalieti të vjetër të vlerësimit të proceseve. Historia jonë e afërt është ndryshe nga sa e paraqesin protagonistët e politikës. Ky ndryshim qëndron esencialisht në mosvlerësimin e shpejtësisë së ecjes përpara dhe mosgjetjen arsyeve të vonesave, që, fjala vjen, po i detyrojnë edhe sot shqiptarët të mbyten në det, duke ikur në mënyrë klandestine.
Shqipëria ishte vendi i fundit në Europë që realizoi ndryshimin e sistemit politik pas rënies së Murit të Berlinit. Edhe pse i tillë, aktorët e vjetër dhe të rinj, përfshirë këtu edhe ish-presidentin Ramiz Alia, u përpoqën ta paraqesin këtë ndryshim si sukses të tyre. Të gjithë e dinë se kthesa erdhi e imponuar nga jashtë.
Gjatë vitit 1991, Shqipëria provoi pesë qeveri: qeveria e Adil Çarçanit, në periudhën e fundit të saj, qeveria e parë e Fatos Nanos, (në shkurt 1991), qeveria e dytë, po e Fatos Nanos (pas zgjedhjeve të 31 marsit 1991), Qeveria e Stabilitetit, e Ylli Bufit (në qershori) dhe Qeveria Teknike, e Vilson Ahmetit (në dhjetor), e cila e çoi vendin në zgjedhje të parakohshme. Politikanët që erdhën në pushtet më 1992, nuk ditën ta shfrytëzonin mbështetjen ndërkombëtare, për të ecur shpejt në drejtim të ndërtimit të një sistemi modern demokratik. Stabiliteti i përkohshëm u prish, nga brenda, për shkak të mospranimit të rolit të opozitës dhe rotacionit të pushtetit me votë të lirë.
Vonesat në drejtim të ndërtimit të themeleve të sistemit e shtuan trysninë ndaj një shoqërie të hallakatur duke u dhënë dorë faktorëve informalë për të dirigjuar pjesë të rëndësishme të ekonomisë së vendit. Pas 5 vjetësh qeverisjeje të Sali Berishës, Shqipëria ra në anarki të plotë. Ajo nuk kishte as kushtetutë, as institucione financiare private, as media elektronike të lira, as drejtësi të pavaruar e as ligj të përshtatshëm për pronat. Procesi i integrimit të Shqipërisë, në NATO dhe BE, që ishte në hapat e para të tij, u kthye mbrapsht. Aktori tjetër, kryesor, Fatos Nano, u rifut në skenë pas zgjedhjeve të parakohshme të vitit 1997. Ngjarjet e një viti më pas e detyruan të largohej nga kreu i qeverisë për t’u kthyer sërish në vitin 2002. Gjatë qeverisjes së fundit të tij Shqipëria hapi negociatat për Marrëveshjen me BE-në, por nuk arriti t’i mbyllte dot për shkak të korrupsionit dhe monopoleve që krijoi. Fatos Nano e vonoi procesin e integrimit në këmbim të pushtetit të tij, duke ia lënë dhuratë përsëri Sali Berishës. Nëse Nano do të ish treguar më i përgjegjshëm në qeverisjen e fundit (kujtojmë krizën e rëndë që përjetoi PS-ja, e cila u divorcua) Shqipëria do ta kishte nënshkruar MSA-në, të paktën 2 vjet më shpejt.
Përgjithësisht politikanët shqiptarë i kanë këmbyer interesat e vendit me kolltuqet e tyre, i kanë vonuar proceset për të ruajtur ofiqet dhe, në fund, kur ngjarjet është dashur të vijnë me patjetër, ndonëse shumë vonë, janë përpjekur t’i konsiderojnë si merita personale. Kështu ka ndodhur me politikanët e fillimshekullit të kaluar, të cilët, të fundit, e shpallën Shqipërinë të pavaruar, më pas me Zogun, Enver Hoxhën, Ramiz Alinë e me të gjithë këta që janë sot në politikë. Politikanët shqiptarë kanë një të përbashkët që mund të etiketohet më termin: “të vonuarit”.
Nëse Berisha do t’i kish lënë rehat institucionet e pavarura të punojnë; nëse nuk do të kish ndarë në mënyrë të paligjshme hise për familjarët dhe klanin e tij, nga prona publike e të gjithë qytetarëve shqiptarë; nëse nuk do të kish rezultuar i kapur nga korrupsioni vrasës; nëse do të kish realizuar në kohë, disa nga reformat më të rëndësishme që kanë mbetur në rrugë; Shqipëria duhej ta kish përmbyllur MSA-në (kujtojmë se kanë kaluar 2 vjet e gjysmë që nga nënshkrimi isaj) dhe duhej të kish fituar statusin e kandidatit për në BE.
Asnjërin prej hapave të rëndësishëm integrues nuk e kemi hedhur në kohën e duhur. Që do të thotë se nuk jemi integruar vetë, por na kanë integruar të tjerët, kur kanë dashur dhe për interesat e tyre. Më 1995, kur u futëm në KE, ndërkombëtarët na lanë një sërë rekomandimesh shtesë për t’i plotësuar, duke na thënë që nuk e meritonim anëtarësimin.
Pasi përjetuam disa kriza të rënda, në janar të vitit 2003, më në fund, hapëm negociatat për MSA-në. Ky proces zgjati deri në qershor 2006, më shumë se në çdo vend tjetër, pra rreth 3 vjet e gjysmë. Kanë kaluar më shumë se 2 vjet të tjera dhe ratifikimi i kësaj marrëveshjeje akoma nuk ka përfunduar. Normalisht këto procese duhet të zgjasin rreth 1 vit e gjysmë secili. Po të llogarisim firot e vonesave, i bie që vetëm në 6 vjetët e fundit në procesin e integrimit në BE, të jemi vonuar më shumë se 3 vjet, vetëm për shkak të keqqeverisjes. Edhe ftesa për në NATO, ta themi hapur, nuk ishte e meritueshme, por, për fat, na favorizuan interesat gjeostrategjike të SHBA-së në rajonin e Ballkanit. (Vetëm 2 javë para samitit të Bukureshtit Shqipëria kish treguar se ishte një vend i pasigurtë).
Politikanë si Sali Berisha të ricikluar, disa herë, në krye të Shqipërisë, nuk kanë asnjë moral për të kërkuar lavdi me integrimin në NATO dhe BE. Kur proceset vonohen, përparimi i vendit u dedikohet vetë qytetarëve. Ndërsa përgjegjësia politikanëve. Por, edhe nëse do të kishin ndonjë meritë, në asnjë rast “të vonuarit” nuk meritojnë lavdi.