Qëlloi 15 herë me thikë kushëririn, vdes i vetëhelmuar
Berat- Ndërkohë që policia e kishte shpallur në kërkim si autor të plagosjes me thikë të kushëririt, një ditë më parë, ai është gjetur pa jetë nga të afërmit në një banesë në fshatin Kutalli të Beratit.
Sipas burimeve policore, që konfirmojnë lajmin, mësohet se Përparim Selami, ka ndërruar jetë sot në darkë, në spitalin e Fierit. Sipas mjekëve, shkak për vdekjen ka qenë konsumi i lëndës helmuese fostoksinë. Kjo ka dalë nga autopsia që i është bërë kufomës, pas të cilës policia ka deklaruar se bëhet fjalë për një vetëhelmim.
Një ditë më parë, Përparimi, ka qëlluar 15 herë me thikë, duke e lënë të plagosur rëndë kushëririn e tij, Bujar Selami, punonjës në komunën Kutalli. Ai gjendet në spital në rrezik për jetën, ndërsa agresori u largua me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.
Dëshmitarët okularë treguan se ngjarja ndodhi në oborrin e kësaj komune, rreth 40 km larg qytetit të Beratit. 45-vjeçari, topograf i komunës u qëllua barbarisht me thikë në orët e paradites.