E Diel, 1 Nëntor 2026

Rrëmbyen imamin e Gostivarit, 54 vjet burg të akuzuarve

Tiranë- Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda dënoi sot me 54 vjet burg të akuzuarit për rrëmbimin në vitin 2002 të imamit të Gostivarit, Irfan Idrizi.

Sipas vendimit të sotëm, me 12 vjet burg u dënua i pandehuri Masar Meli, me nga 11 vjet secili Korab Meli dhe Korab Palushi si dhe me 10 vjet burg Beqir Shahun dhe Basri Shahun. Ndërkohë u la në fuqi vendimi i Gjykatës së Shkallës së parë, e cila shpalli të pafajshëm të akuzuarin Nagip Musliu.

Ngjarja ndodhi në 2 dhjetor të vitit 2002. Sipas policisë, disa persona rrëmbyen në Gostivar( Maqedoni) imamin e qytetit, Irfan Idrizi. Pas disa ditësh, ata telefonojnë familjen e tij dhe i kërkojnë në këmbim të pengut një shumë të konsiderueshme parash prej 1 milion euro, ndërkohë që pengu, sipas të njejtave burime ishte transportuar në Kukës.

Familja mësohet se e pagoi shumën e kërkuar, por edhe pas kësaj, Irfan Idrizi nuk u la i lirë dhe ende nuk dihet nëse është gjallë.

Fillimisht me këtë çështje u mor Prokuroria e Shkodrës dhe më pas, për shkak të rëndësisë, dosja kaloi për llogari të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, e cila lëshoi edhe urdhër arrestet për të pandehurit e procesit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›