SHBA-të dhe shakatë shqiptare
RRESHTIMI SI VEGËL PUSHTETI
Megjithëse ka qenë gjithmonë e vështirë të dallosh ideologjikisht të djathtët nga të majtët shqiptarë, këta u ndanë vullnetarisht në kampe pro McCain-it dhe Obama-s. Madje, ndërsa në Amerikë mund të ndodhë edhe që ndonjë republikan apo demokrat të kapërcejë vijat politike e të mbështesë kandidatin tjetër, në Shqipëri vijat “i majtë/Obama” dhe “i djathtë/McCain” u respektuan rigorozisht. Kjo ndarje, që na u shit si “ideologjike”, mbetet një fantazi. E para, sepse kontekstet politike (por edhe shoqërore) amerikane e shqiptare janë rrënjësisht të ndryshme.
Historikisht, “rreshtime” të tilla shqiptare me ideologji të huaja, kanë qenë vegël për përdorim të brendshëm të pushtetarëve apo atyre në kërkim të pushtetit. Nuk ka nevojë të shkosh më larg se vitet e pasluftës, deri nw vitet ’90. Shkëmbimet “vëllazërore”, miqësitw që gjithmonë ishin “të përjetshme”, por qw gjithmonë vdisnin në fëmijëri në thelb ruajtën tensionin midis dëshirës për hapje dhe tendencës për vetizolim, paranojës, dhe provincializmit.
Nuk mund të shpjegohet fuqia e udhëheqjes komuniste të pasluftës pa marrë parasysh pikërisht këtë arbitrazh të dhunshëm të hapjes dhe mbylljes (ideologjike, mendore, fizike) së vendit. Përndryshe, si mund të kuptohet që Shqipëria e vogël arriti të realizojë me një përpikmëri marramendëse pikërisht të kundërtën e çdo iniciative në bllok? Pikërisht kur Hrushovi de-stalinizonte vendin, Shqipëria çelnikoste Stalinin. Pikërisht kur bota lindore shihte me kureshtje drejt Perëndimit, Shqipëria e vogël ëndrronte lindjen e kuqe kineze. Pikërisht kur hapej Kina e madhe, Shqipëria mbyllej me hekura e beton. Pikërisht kur vinte Shtrausi për të provuar ujërat e ndryshimit në Ballkan, dinosaurët e Byrosë i kërkonin reparacione lufte. Pikërisht kur muri i Berlinit thërrmohej, komunistët shqiptarë pushkatonin të rinjtë që kalonin kufirin. Pikërisht kur hapnin dosjet të tjerët, Shqipëria i mbyllte. Pikërisht kur i mbyllin të tjerët, dëshiron t’i hapë. Injorancë? Trille elitash? Keqkuptime kronike të situatës ndërkombëtare apo shfrytëzim i dinamikave të jashtme për të vazhduar plaçkitjen e vendit-pronë?
Edhe në izolim, Shqipëria ushqente iluzionin se merrte pjesë aktive në çështjet e mëdha të globit. Shqiptarët e zakonshëm zhyteshin në mjerim, ndërsa Shqipëria zyrtare jepte mendim për dhunën në Lindjen e Mesme, fushatat e amerikanëve imperialistë, dhe bëmat e sovjetikëve tradhtarë në botën e tretë.
E gjitha kjo mund të duket si paralel i tepruar historik, por ja që historia ka lënë trashëgimi këtë “çarje” tragjike në perceptimin shqiptar të vetes dhe botës. Ndryshe nga dje, izolimi nuk është më çështje kufijsh, mallrash, apo filmash. Por thelbi i izolimit mbetet paaftësia për ndërtimin e demokracisë, dhunimi i vazhdueshëm i institucioneve, plaçkitja e vendit si pronë private. Nuk janë vizat Shengen pengesa për hapjen e Shqipërisë (siç vazhdon të thuhet prej gati dy dekadash). Vizat nuk do të ndreqin dot vetizolimin mendor e institucional. Si edhe dje, ky izolim është i lidhur ngushtë me interesa politike, paçka se vazhdon të flasë pambarimisht për ndryshime ideologjike dhe marrëdhënie vëllazërore me këtë apo atë parti, a koncept amerikan apo perëndimor.