Bukë hanë minjtë,raki pinë zotërinjtë!
• Inida Gjata (ZHAKU)Para disa vitesh, ra monumenti i Enver Hoxhës (oops u rrëzua, më falni ...Jooo, më falni... u hodh! Ose… më mirë të themi e bënë copë e cikë!).Ia plasën trutë e bronzta në tokë Enverit, të gjithë ata që e kishin ngrënë pataten edhe për bukë edhe për gjellë për dhjetëra vite!Mirë po, atëherë, në ato kohëra, s’kish as zotërinj, as minj!Bukën e gjenin në patate dhe pataten në dhe, të gjithë “zotërinjtë” e çreligjuar, çdekoruar, çnderuar e çnjerëzuar nga Komunizmi. Gëlonin gjellët me patate e me qepë nëpër holle (korridore) lagjesh që ende vijnë erë vajgur nga furnelat epike të viteve bardhezi, sikur të ishin duke konkurruar në ndonjë biçim konkursi bukurie gastronomie si p.sh., Ultra Patatja (fiton e shfrytëzuara më së miri edhe si Miss edhe si Mister!).E gratë, nënat e të gjithë atyre që tani lexojnë këtë shkrim, hidhnin bishta sysh nëpër tenxheret e njëra-tjetrës, duke llogaritur nëse në tryezën e komshijes do të kishte më shumë bukë apo më shumë gjellë. Se pataten ta harronin! E ç’të kishte minj atëherë! Plehra s’kishte e s’kishte. Gjithçka shfrytëzohej edhe për kështu, edhe për ashtu! Vetëm njeriu ishte monofunksional! Gjithçka tjetër bi!Njeriut i duhej vetëm t’i nënshtrohej si njërit kuptim të gjërave, ashtu edhe tjetrit. …… derisa erdhi dita që filozofin e bifunksionalitetit, ta thyenin në mes, në qafë, në këmbë e në vithe, për t’i besuar në vend të tij një foshnje që s’kish mbushur as pak muaj që kish lindur e megjithatë u shfaq befas me një ideologji të re, atë të supermarketeve. Filozofi kjo, që në vesh të varfanjakut do të tingëllonte njëlloj me xhingëllat e reklamave tek italiani, ku dy fëmijë faqekuq si molla e biondë si engjëj, pllaquriteshin nëpër çokokrem teksa nëna e tyre flokartë, buzëqeshur e me thonj prej fildishi, lante me lavatriçe “moderne” njollat e lloj-lloj lëngjesh goje të gojëve të atyre që në fyt mbanin ende thartinë e patates magjike. Urthin e ultra patates! Të shqiptarëve të shkretë, që hanin gjellën e tyre të varfër me sytë nga tryezat e kamura të “televizorit” duke ëndërruar shije shkrirjesh në gojë, e duke llokoçitur sikur të ishin duke i gjetur vrimën ku të futej kafshatës së mjeruar të një copë patate veshur me lloj-lloj epitetesh!Kjo foshnje tha: ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Evropa!Mirëpo varfanjakët e dëgjuan: të hamë në Shqipëri, ç’ha Evropa!Të kemi në shtëpi ç’ka bota! Liri! Demokraci! Yrysh! E për një kohë shumë të gjatë, qysh prej asaj dite, shqiptarët hëngrën bukë, hëngrën gjellë, patatina (kujdes! Patatina!) dhe çdo gjë që fluturonte!Duke qenë se zotëria nuk ndryshonte ndonjë kush e di çfarë nga delenxhiu, asokohe, (në vitet e bardheziut) edhe rakia nuk është se kishte ndonjë nam shumë të mirë! Ndërsa buka……..! Ah! Këtu ndryshonte puna! Ajo ishte një thesar i strukur në një patate! kështu që edhe minj s’kish, përderisa s’kish bukë!Kur unë dëgjova për herë të parë nga daja im këtë frazë që më ka mbetur në mendje, “bukë hanë minjtë, raki pinë zotërinjtë”, preferova pijen e zotniut përpara ushqimit të miut. Kuptova se buka është monofunksionale! Se buka nuk bëhet asgjë tjetër veçse bukë (deri në çastin që ajo nuk shfrytëzohet për penis artificial (gjë që ka ndodhur sipas gojëdhënave në Burgun 313 te reparti i grave. P.s deklaruar tek emisioni im radiofonik Kopirajt në Top Albania Radio çdo të martë e të premte pas orës 22:00, nga një ish i burgosur)!Se buka nuk është për zotërinjtë! E se një ditë, macet do ta mbushnin barkun me minj plot tul buke në stomak. Do ti, që kjo ditë erdhi! Dita e minjve të dendur në bukë! E zotërinjve të dehur me raki!Çdo zotëri shqiptar i ditëve tona, duke qenë se është krejt i harruar në ndonjë rrënxë skamjeje meqë s’është aspak çapraz e dallkauk, ndërron unaza me rruazat e rakisë. Lidh jetën me dehjen e përgjithmonshme që të harrojë se buka është bërë 1000 lekë (të vjetra), e se 30 ditët e një muaji janë 30.000 lekë (të vjetra) bukë. Dehet në raki, çdo zotëri meqë po të jetë esëll do të shohë gruan që si zonjë zotërie të dehur në raki që është, i zhyt thonjtë në ndonjë kokërr vezë, e prej andej nxjerr një pulë! Qëron me finesë ndonjë patate prej nga ku shfaqet një bukë e madhe e një tenxhere gjellë. Pi raki i shkreti zotëri se dëshiron më mirë të jetë n’at botë, atëherë kur t’i kthehen fëmijët nga shkolla e të uritur të zhgarravisin nëpër fletore në vend të detyrave, harta bote mbushur përplot me akullore!E ndërkohë minjtë hedhin vallen mbi bukët e shtrenjta që do t’myken nëpër brumëtarira (meqë s’do t’i blejë më kush)! Buka nuk do të jetë më ushqimi i të gjithëve, por vetëm i minjve. I të gjithë atyre minjve që enden nëpër tuba pallatesh me shumë kate, ashensorë e garazhe përplot me llamarina llamburitëse!Minj, të të gjitha institucioneve shtetërore, buka është juaja. Ne nuk kemi 1000 lekë të asnjë prerjeje. Të asnjë moshe. Të asnjë kohe. Ne nuk e hamë bukën. Ne jemi zotërinj, pimë raki! (një teke e së cilës kushton edhe 20 lekë të reja po të jesh në mejhanen e duhur).