ERT: Ministria na vonoi për përcaktimin e çmimeve
• ERT-ja ka reaguar dje lidhur me kërkesën e bërë nga Ministria e Telekomunikacioneve për shkarkimin nga detyra të kryetarit të Entit, Hydajet Kopani dhe anëtarëve të tjerë të bordit drejtues.Sipas ministrisë, kreu i ERT-së, si dhe anëtarët e bordit drejtues kanë neglizhuar me detyrën e tyre, pasi edhe pse e kanë detyrim ligjor që të llogarisin metodologjinë dhe kostot e operatorëve me fuqi të ndjeshme në treg, një gjë e tillë nuk është bërë përgjatë gjithë këtyre viteve. Pikërisht për këtë arsye ata i kanë kërkuar Kuvendit që të miratojë kërkesën e tyre për largimin nga puna të Hydajet Kopanit, Anila Kaçupit, Shyqyri Mekës si dhe Arjan Sinoimerit. Por një ditë më pas ka reaguar edhe ERT-ja. Në reagimin e tyre ata kanë fajësuar ministrinë si shkaktarët e vonesës së hartimit të metodologjisë së tarifave. “Hartimi i metodologjive, që mund të ishte mbyllur në fund të muajit dhjetor, është vonuar së fundmi nga angazhimi i specialistëve të ERT-së, të përzgjedhur nga MPPTT-ja, për draft-ligjin e komunikimeve elektronike, për të cilin ERT-ja ende nuk e ka përcjellë mendimin e vet institucional”, thuhet në deklaratën për shtyp të kësaj ministrie. Sipas tyre, drejtuesit e ministrisë nuk mund t’i akuzojnë përse kanë neglizhuar detyrën e tyre në reduktimin e tarifave nga zbatimi i metodologjive. “Kjo, pasi kemi reduktuar tarifat e përdoruesve celularë, me efekt në kursimet e shpenzimeve të konsumatorëve celularë në vitin 2009 në krahasim me vitin 2007, afërsisht 2.5 miliardë lekë”, citohet në reagimin e Entit Rregullator të Telekomunikacioneve.