Komunitetet fetare në procesin e integrimit
• Zef BUSHATIMe zhvillimin e integrimit evropian, vizioni dhe angazhimi për vlerat ...e përbashkëta u reflektuan që në institucionet e krijuara nga ky proces. Këshilli i Evropës dhe OSBE-ja kultivuan idenë e një Evrope të ndërtuar mbi respektin e të drejtave njerëzore, të lirisë fetare, të demokracisë dhe të shtetit të së drejtës. Pajtimi dhe solidariteti ishin gurët e themelit të asaj që është sot Bashkimi Evropian.Vlerat thelbësore duhet të mbahen gjallë dhe të praktikohen si udhërrëfyese për krijimin e politikës. Sot pjesa më e madhe e popujve të Evropës gëzojnë lirinë dhe të drejtat themelore njerëzore dhe kanë kohë që nuk po përballen më me luftën dhe konflikte të dhunshme. Megjithatë pasojat negative të ndarjes së Evropës në të shkuarën janë ende të dukshme dhe nëse kërkohet kapërcimi i tyre, atëherë kërkohet realizimi i plotë i këtyre vlerave thelbësore. Institucionet evropiane dhe shtetet anëtare kanë një rol shumë të rëndësishëm në sigurimin dhe mirecurinë e ruajtjes së këtyre vlerave.Identiteti evropian është i përbërë nga një larmi e madhe gjuhësh, kulturash, traditash si dhe besimesh. Motoja e Bashkimit Evropian është “Të bashkuar në diversitet”. Vlerat fetare luajnë një rol shumë të rëndësishëm për qytetarët evropianë dhe, rrjedhimisht dhe në Bashkimin Evropian. Roli i Fesë për ngritjen e një Evrope të bashkuar është theksuar dhe në Librin e Bardhë të Komisionit Evropian “Mbi Qeverisjen Evropiane” të vitit 2001, në të cilin citohet shprehimisht: “Shoqëria civile luan një rol të rëndësishëm në ngritjen e zërit për shqetësimet e qytetareve, si dhe në arritjen e shërbimeve për të cilat kanë nevojë njerëzit. Komunitetet fetare kanë një rol të veçantë në këtë drejtim”.Besimi në një kuptim më të gjerë, është një gur themeli në ndërtimin e identitetit individual të njeriut, por është gjithashtu një gur themeli dhe për identitetin kombëtar dhe kulturor të një vendi. Sot në Evropë po ndjehet gjithnjë e më shumë nevoja e besimeve fetare dhe bashkekzistencës së tyre në harmoni, kjo si pasojë e proceseve të ndryshme që kanë ndodhur, ku ndër më të rëndësishmet mund të theksojmë:* Flukset e shumta dhe të ndryshme migratore.* Hyrja në Bashkimin Evropian e shteteve të reja anëtare me përbërje të larmishme fetare.* Perspektiva për anëtarësim e vendeve të tjera, si Shqipëria, Kroacia, Serbia, Mali i Zi, Bosnja dhe Hercegovina, Maqedonia dhe Turqia.* Roli i ri i besimeve në jetën publike shoqërore evropiane.Ndërkohë që pjesë të Evropës kanë lëvizur drejt një uniteti më të madh, diversiteti ngelet karakteristika e identitetit të kontinentit. Ky diversitet, i cili është kulturor, në aspektin e traditave dhe identiteteve fetare respektohet dhe duhet të respektohet.Modeli shqiptar i harmonisë fetare mbi bazat e vlerave demokratike dhe shtetit të së drejtës merr një vlerë të madhe në debatin global mbi nevojën e mirëkuptimit dhe bashkëjetesës së kulturave dhe qytetërimeve. Në kundërshtim me skenarët dhe parashikimet pesimiste, vlerat e lirisë dhe demokracisë po përballen me sukses me rreziqet, duke u bërë gjithnjë e dominuese në afrimin dhe forcimin e lidhjeve midis kulturave, popujve, feve dhe qytetërimeve.Pluralizmi paqësor fetar ka shërbyer si element bashkues midis njerëzve, familjeve dhe grupeve të ndryshme në shoqëri. Komunitetet fetare mbeten besnike të frymëzimeve të tyre fillestare, të së mirës dhe paqes, si dhe me përkushtim të madh luajnë rol aktiv në kapërcimin e problemeve sociale, rritjen e edukimit të të rinjve, forcimit të rolit të familjes, kulturës dhe identitetit kombëtar evropian.Me kontributin e saj të veçantë, Shqipëria përfaqëson një nga rastet e rralla të një vendi me besime të ndryshme fetare, ku të gjithë faktorët politikë e shoqëror, përfshirë edhe komunitetet fetare, janë përkrahës të fuqishëm të integrimit të vendit në Bashkimin Evropian, BE dhe NATO.Besimet fetare në Shqipëri, pavarësisht nga pesha në numër, e kanë ndjerë veten, janë trajtuar dhe përfaqësuar në mënyrë të barabartë. Kjo ka qenë shtylla e dialogut ndërfetar dhe tolerancës fetare në vendin tonë, që partnerët evropianë pa diskutim e njohin si një vlerë që do të ndihmojë integrimin e Shqipërisë në Evropë.Toleranca për shqiptarët është pasuri kombëtare e patundshme, e trashëguar shekull pas shekulli. Me kultivimin e këtij thesari të çmuar, shqiptarët janë dalluar dhe janë shembull për çdo popull në botë.Veçoria kryesore është aplikimi i katër besimeve fetare në Shqipëri, mysliman, ortodoks, katolik e bektashi, duke ruajtur si primare në themel çështjen kombëtare. I dashuruar pas shqiptarëve, Lord Bajroni, i cili e ka vizituar Shqipërinë në kohën e Ali Pashës, ka bërë këtë vlerësim: “I dua shqiptarët, nuk janë të gjithë myslimanë, disa nga fiset e tyre janë të krishterë”.Feja është personale - çështja kombëtare është e të gjithëve pa dallime fetare. Ekstremizimi fetar është rrezik për prishje të tolerancës. Vlen të vlerësohet roli i besimeve në integritetin dhe çështjen kombëtare. Kjo është vërtetuar gjatë historisë së popullit tonë dhe e gdhendur në historinë e Shqipërisë.Dialogu dhe bashkëjetesa realizohet nga marrëdhëniet e përditshme që kanë njerëzit e besimeve, të cilët shkëmbejnë mes tyre mendime të kulturuara e të ndryshme. Realizimi i projekteve të përbashkëta, menaxhuar nga përfaqësues të këtyre besimeve, ku si synim është humanizmi dhe ndihma e shoqërisë, si dhe zhvillimi i takimeve të vazhdueshme me qëllim shkëmbim të mendimeve, qëndrimeve, duke diskutuar çështje të përbashkëta të harmonisë dhe bashkëjetesës fetare, i shërben mbi gjithçka forcimit të unitetit dhe çështjes sonë kombëtare.