E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reforma zgjedhore, partitë e vogla kërcënojnë me veto

• Partitë e vogla parlamentare kanë kërcënuar dje dy partitë e mëdha PS-PD për përdorimin e vetos së tyre në komisionin e reformës zgjedhore.Aristir LumeziDrejtuesit e tyre janë mbledhur në hotel “Rogner”, dje në mesditë pas kërkesës së partive opozitare, të cilat më shumë se ato të bllokut qeveritar kërkojnë hapësira në kodin e ri zgjedhor. Lista e kandidatëve për deputet është “thembra e Akilit” e Komisionit të posaçëm parlamentar të Reformës Zgjedhore. “Të vegjlit” rikonfirmuan dje qëndrimin e tyre në mbështetje të një kërkese zyrtare që i dërguan komisionit të reformës zgjedhore duke vendosur edhe qëndrimin e tyre nëse injorohen nga dy partitë e mëdha. Kryetari aleancist, Neritan Ceka u shpreh hapur dje për përdorim të vetos nëse nuk gjendet konsensus. “Në komision ka edhe veto të partive të mëdha, por edhe veto të partive të vogla së bashku dhe kjo nuk do na dërgojë drejt një bllokimi, por drejt një kompromisi. Ne do të gjejmë gjuhën e përbashkët si në tryezën e partive edhe në komision, por duhet të ulemi dhe të bisedojmë në mënyrë institucionale dhe transparente”, tha Ceka. Por që të arrihet vetoja e partive të vogla parlamentare, duhet që ato të jenë të gjitha bashkë, pra të dhjeta partitë parlamentare kanë të drejtë të vendosin veton e tyre në këtë vendimmarrje, ashtu siç e ka këtë të drejtë PS dhe PD në komision. Partitë opozitare i tremben detyrimit që Berisha mund t’i bëjë njërit prej aleatëve të tij, për të prishur bllokun e tyre. Por edhe për këtë përfaqësuesit e partive të vogla kanë menduar një tjetër zgjidhje, atë të referendumit për sistemin zgjedhor. Me kërkesën e 28 deputetëve, ata mund t’i kërkojnë Parlamentit zhvillimin e referendumit popullor, nëse dy partitë e mëdha, PS-PD do të këmbëngulin me kokëfortësi në sistemin spanjoll dhe listat e mbyllura. Kërkesat e partive të vogla parlamentare janë për një sistem zgjedhor proporcional të personalizuar, një prag zgjedhor 2.5 për qind dhe listat e hapura, ku deputetët e ardhshëm do të zgjidhen përmes votave që do të marrin direkt nga zgjedhësit. Sipas përfaqësuesve të partive të vogla, “një listë e mbyllur kandidatësh për deputetë do të bënte që të shtohej autoritarizmi i kryetarëve në përcaktimin e listave të kandidatëve, si dhe pengon konkurrencën demokratike mes forcave të ndryshme politike, duke ngushtuar hapësirën për to”. Ndërsa të gjitha partitë parlamentare bien dakord për eliminimin e fenomenit “dushk”, kërkojnë karta identiteti dhe listat e votuesve të dala nga regjistri elektronik i gjendjes civile.LSI Kryetari i Këshillit Drejtues Kombëtar të LSI-së Edmond Haxhinasto kërkoi dje më shumë transparencë nga ana e dy partive për të realizuar reformën zgjedhore. Duke komentuar listat e mbyllura që kërkon PS për kandidatët për deputetë, Haxhinasto tha se “ashtu sikurse mund të jenë listat e hapura alla-shqiptare ashtu mund të jenë edhe listat e mbyllura të aplikuara në mënyrë të tillë alla-shqiptare. Por për të mos pasur lista të tilla alla-shqiptare duhet që ta bëjmë Reformën zgjedhore alla-evropiane”. Përfaqësuesi i lartë i LSI-së akuzoi dy partitë  e mëdha për mënyrën se si po veprojnë përsa i takon reformës zgjedhore. “Mentaliteti i “partisë së madhe” dhe pazaret elektorale janë pikërisht shkaku i defektit të zgjedhjeve gjatë gjithë tranzicionit në Shqipëri, zgjedhje që asnjëherë nuk kanë marrë vlerësim pozitiv nga partnerët tanë ndërkombëtarë”, tha Haxhinasto. Për LSI, sipas tij, është e domosdoshme që Reforma të jetë gjithëpërfshirëse dhe konsensuale. Ajo nuk mund të realizohet as me ultimatume apo kushte dhe as me konceptin ‘parti e madhe apo parti e vogël’.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›