Ku ka mbetur reforma zgjedhore
• Çerçiz LoloçiPaqja e përkohshme mes PD-së dhe PS-së në prag të disa evenimenteve të rëndësishme, përfshi shpalljen e pavarësisë së Kosovës dhe pritjen e mundshme të një ftese për anëtarësim në NATO, ka mundur të finalizohet në një dokument ligjor për reformën në drejtësi. Gjasat janë që ky dokument të kalojë me procedurë të përshpejtuar në Kuvend dhe, natyrisht që është një nismë pozitive. Por, po aq e rëndësishme sa kjo paketë ligjore, është edhe reforma zgjedhore. Në këtë aspekt duket se ka pak vullnet nga pozita dhe opozita, paçka se koha deri në zgjedhjet e ardhshme parlamentare është disi e limituar. Megjithatë nuk është në të njëjtin start politika me shoqërinë civile. Agjencia për Administrimin e Zgjedhjeve e drejtuar nga ish-kreu i KQZ-së, Ilirian Celibashi, në bashkëpunim me Rrjetin e Shoqërisë së Hapur për Shqipërinë (NOSA) dhe e mbështetur nga fondacioni Soros, kanë përgatitur një dokument rekomandues për reformën zgjedhore. Këto rekomandime përfshijnë sistemin dhe administratën zgjedhore, financimin e partive politike, ankimet, apelimet, mediat, vëzhguesit dhe referendumet. Në gjetjet e këtij dokumenti kanë kontribuar një sërë personalitetesh vendase dhe të huaja, mes të cilëve: Nikolai Vulchanov, ish-konsulent i ODIHR-it; Mirjana Lazarova Trajkovski, përfaqësuese e Maqedonisë në Komisionin e Venecias, Dikson Bailey, fondacioni ndërkombëtar për sistemet zgjedhore; Giovanna Maiola, analiste për median në misionin e ODIHR-it në Shqipëri në zgjedhjet e vitit 2001, 2003; Prof. Luan Omari, akademik, ish-përfaqësues i Shqipërisë në Komisionin e Venecias; Njazi Jaho, Komiteti Shqiptar i Helsinkit; Pandeli Varfi, ish-anëtar i KQZ-së; Enkelejd Alibeaj, ekspert për ankimet dhe apelimet dhe ministër i Drejtësisë; Oerd Bylykbashi, ekspert për reformën zgjedhore dhe Ditmir Bushati, Instituti “AGENDA”. Pa pretenduar se këto rekomandime shterojnë maksimalisht të gjithë problematikën që ka reforma zgjedhore në vendin tonë, shqetësimi i shoqërisë civile shkon në indiferencën e klasës politike për të vepruar vetëm në çastin e fundit. Këto rekomandime që priten të bëhen publike së shpejti dhe që do të jenë në të gjitha institucione shqiptare, përfshi edhe grupin bipartizan për reformën zgjedhore dhe OSBE/ODIHR-in, kërkojnë pikësëpari një vëmendje të mazhorancës dhe minorancës, madje mund të jenë një nga pikat e takimit të mundshëm mes Berishës dhe Ramës. Më shumë se sa pragu elektoral, se sa përcaktimi i sistemit zgjedhor, të cilat kanë gjithashtu rëndësinë e tyre, shqiptarët janë sot të shqetësuar që politika të kalojë një herë e mirë ngërçin e zgjedhjeve të kontestuara dhe të realizojë standarde në këtë proces mjaft delikat.