Shkodër, postera në qytet kundër centralit bërthamor
SHKODER/ RIDVAN DIBRA
Shkodra kundër centralit bërthamor buzë liqenit. Pas publikimit në mediat kroate të një projekti të afërt për ndërtimin në qytetin e Shkodrës, dje qyteti është mbuluar me thirrje kundër tij. Persona që kanë mbetur anonimë mbushën mëngjesin e djeshëm rrugët me postera ku shkruhej me germa të mëdha "Ndal vdekjes", "Ndal Centralit Nuklear në Shkodër", "Ndal Bombës Atomike". Me anë të këtyre posterave paralajmërohej një protestë në të ardhmen, kundër ndërtimit të centralit bërthamor në qytetin më të madh në veri të vendit. Ende nuk dihet se cila është organizata apo individët që kanë bërë ngjitjen e parrullave anticentral bërthamor. Në poster janë vendosur dhe disa foto, ku pasqyrohen fëmijë me deformime fizike, shpërthime, etj. Lajmi se në Shkodër do të ndërtohet një central bërthamor, bazuar te një bisedë mes kryeministrit kroat e atij shqiptar, Berisha, ka ngjallur reagim të fortë te shkodranët. Jo vetëm posterat, por dhe qytetarë të pyetur dje pohojnë se janë kundër ndërtimit të këtij centrali. Ata thonë se nuk do të lejojnë në asnjë mënyrë ndërtimin e këtij centrali, pasi do të thoshte vdekje për fëmijët e tyre dhe shkatërrim të qytetit. Por, të tjerë e cilësonin spekulim të mediave një lajm të tillë, ndaj dhe së shpejti presin të dëgjojnë kreun e qeverisë, Sali Berisha për të mësuar më shumë në lidhje me këtë fakt. Nga mediat është mësuar se gjatë takimit që Berisha zhvilloi në Kroaci muajin e shkuar është biseduar me homologun e tij kroat, Ivo Sander, për të ngritur një central bërthamor, në afërsi të liqenit të Shkodrës, në kufi me Malin e Zi. Madje, po sipas mediave kroate theksohej fakti se marrëveshja do të nënshkruhej brenda këtij muaji. Sipas të njëjtave burime, centrali do të kushtojë rreth 4 miliardë euro, ndërsa kapaciteti i tij do të jetë rreth 1.500 megavatë. Ndërtimi mendohet t'i besohet "Elektroekonomisë kroate" dhe pjesa më e madhe e energjisë së prodhuar do të shkojë në Kroaci. Nga ana e tyre, autoritetet në Podgoricë thonë se nuk kanë marrë ftesë për pjesëmarrje në projektin për ndërtimin e centralit bërthamor në brigjet e liqenit të Shkodrës, një pjesë e të cilit ndodhet në territorin e Malit të Zi. Ministria malazeze e Turizmit dhe Mjedisit Jetësor kujton se në Mal të Zi ka një ligj që e ndalon ndërtimin e objekteve bërthamore, miratuar në vitin 1995.