E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bukurie Mata: Bleonën ma mori kushërira e burrit

TIRANE-Bukurie Mata, e ëma e 7-vjeçares së zhdukur në 22 majin e këtij viti, ka udhëtuar nga Kukësi në drejtim të Tiranës, në kërkim të shpresës dhe të besimit se Bleona e saj do të gjendet. Gruaja, që tashmë, siç thotë edhe vetë, i kanë rënë për pjesë probleme fort të rënda, rrëfen për Gazetën Shqiptare gjithçka di që nga momenti që është marrë në telefon nga Alketa (halla e Bleonës), e cila i ka dhënë lajmin e zhdukjes së të bijës, e deri te konfliktet e mëdha me të shoqin, konflikte që përfundimisht kanë çuar në ndarjen e tyre. Bukuria tregon se tashmë jeton me të birin Armendin, në shtëpinë e prindërve në Lojme, vendlindja e saj, ndërsa në retrospektivën e herëpashershme mbi ngjarjen e rëndë gruaja ka vetëm një person që akuzon drejtpërsëdrejti: Qamile Matën, të renë që është kushërirë e parë e të shoqit të saj.
"Qamilja, është vajza e axhës së Zamirit (të shoqit). Ajo ma ka marrë vajzën dhe ia ka dhënë dikujt, sepse ajo jam e bindur që ka marrë lekë për atë punë, pasi i ndryshon rrobat përditë, ndërsa policia asnjëherë nuk ka mundur të zbulojë asgjë prej saj".
Po kështu, akuzat e saj shkojnë edhe për neglizhencën e hetimit dhe të policisë në lidhje me mënyrën se si merren në pyetje vajzat, për papërgjegjshmërinë e Zamirit si bashkëshort dhe baba, për familjen e Qamiles, vajzës që sipas saj, është personi i vetëm dhe i duhuri që do t'i çojë te Bleona, të cilët nuk merren me vajzën e tyre për të mësuar vendndodhjen e Bleonës. Bukuria, 30-vjeçarja që tashmë është kthyer në një personazh të njohur në mbarë vendin, tregoi per numrin e sotme te Gazeta Shqiptare, relatat në shtëpinë e të shoqit, marrëdhëniet me ta, dhe nuk harron për asnjë moment të tregojë respekt për mbarë njerëzit e zonave përreth, si dhe të gjithë të tjerët që janë sensibilizuar me dhimbjen e saj. E megjithatë, Bukuria ka sërish të njëjtin apel, apel që sipas saj duhet të shkojë deri në qeveri, te kryeministri Berisha, për t'i sjellë Bleonën dhe ajo të jetojë me dy fëmijët e saj.
Pretendimi i babait te Bleones
I ati i Bleona Matës, pak ditë më parë ndërsa gjendej në gjykatën e Kukësit për seancën e parë të divorcit, ka lëshuar edhe akuzat e rënda ndaj Bukuries, duke e akuzuar atë edhe për shitjen e Bleonës. "Qamiles dhe Gentianës i është shtuar dhe ish-nusja ime, Bukurija, me të cilën unë jam ndarë dhe sot kam seancën gjyqësore të ndarjes. Atë ditë që ka humbur Bleona, ajo ka thënë se ka shkuar në arë për të punuar, por në asnjë moment nuk ka qenë në arë. Ajo gjashtë orë ka folur në telefon. Nga ora 11 e gjysmë deri në orën 2 nuk është parë tek ara dhe nuk dihet se ku ka shkuar. Nuk di ku i gjen këto para për të bërë dhe ndarjen dhe udhëtimet për në televizion me pesë vajzat, të cilave u paguan shpenzimet. Edhe ditën e humbjes së Bleonës, në telefonin e saj janë gjetur mbi 50 numra që nuk u përkisnin familjarëve dhe të afërmve tanë. Ka shkuar me ta dhe më ka tradhtuar disa herë".

Historia e mistershme zë fill në 22 majit të këtij viti, kur vogëlushja u zhduk krejt papritur nga kodra përballë shtëpisë, teksa ishte në shoqërinë e disa vajzave të tjera dhe hallës së saj. Policia e Kukesit dhe ajo e shtetit u instaluan me dite te tera ne Zapod dhe kerkuan per vajzen e zhdukur. Kaq muaj pas zhdukjesh, policia nuk ka asnje piste ku te fokusohen per gjetjen e vogelushes.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›