E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bukurie e dënuara, që nuk festoi 8 marsin

Gruaja nga Peqini, nuk mundi të takonte dje fëmijët e saj si gratë e tjera, për shkak të mbiemrave të ndryshëm me ta

Në maj shpreson të lërë burgun dhe të shkojë pranë fëmijëve të saj që ndodhen në Greqi prej vitesh


Bukurie Shkëmbi, 52 vjeçe, e dënuar me 12 vite burg për vrasjen e të shoqit, dje nuk ka mundur të jetë nënë si 101 gratë e tjera të burgut 325 në "Ali Demi". Dita e djeshme e konsideruar si dita Ndërkombëtare e Gruas, autoritetet e burgut 325, kishin vendosur që t'iu dërgonin fëmijët.

Por dje ajo nuk është ndjerë as grua e aq më pak nënë. Që nga viti 1997, kur u dënua për vrasjen e bashkëshortit të saj në fshatin Vashaj në Peqin, ajo nuk ka mundur të takojë asnjë nga fëmijët e saj. Për herë të fundit një nga fëmijët ka tentuar ta takojë para shtatë vitesh, ndërsa ajo qëndronte në atë që ishte bërë streha e saj për vite të tëra. Shkaku që duket se nuk e ka lënë të takojë fëmijët për 12 vite me radhë, është shumë banal në dukje por tepër i rreptë në procedurë. Mbiemri ka vendosur deri më tani.

Pas vrasjes së të shoqit, Bukuria ka marrë mbiemrin e vajzërisë, ndërsa fëmijët në të kundërt, kanë mbajtur mbiemrin e të atit të tyre. Mbiemrat e ndryshëm në çertifikatat e familjeve, sipas edhe drejtuesve të burgut 325, është handikapi ligjor që gruaja nuk ua di se si ka shkuar fati i tyre deri më tani. Që prej asaj kohe, fëmijët e Burkuries janë larguar në Greqi, ku kanë nisur të ndërtojnë jetën e tyre. E ëma, kur u vendos pas hekurave ishte një grua 40 vjeçare që vendosi, që mendoi se ndoshta vrasja e të shoqit, mund ta shpëtonte nga një pjesë e halleve. Për dy muaj ajo do të lërë qelitë e burgut të grave në "Ali Demi", por udhëkryqet dhe dilemat e saj nuk mbarojnë këtu, gruaja përveç se nuk ka mundur të ketë vizitorë fëmijët e saj në vite, nuk di se si mund t'i gjejë ata. I duket se në burg, ka kush të mendojë për të.

Eshtë shteti që e ka në listën e personave të tij të dënuar që duhet të shlyejnë krimin që kanë kryer. Po jashtë !? Ajo ka kaluar plot 12 vjet në burg dhe pret të dalë së shpejti, në muajin maj të këtij viti. Ajo tregon se në atë kohë, i takon edhe të dalë nga burgu. E gjendur mes të burgosurave të tjera që festën e 8 marsit e festuan bashkë me fëmijët e tyre, Bukuria përlotet nga kujtimi i fëmijëve të saj që nuk i shikon prej 12 vjetësh. Urimi nga fëmijët e saj në Festën Ndërkombëtare të Gruas ka munguar, jo nga dëshira e tyre, por nga pamundësia për ta takuar.

Ajo na tregon se djali i saj i vetëm Romeo dhe tri vajzat Yllka, Djana dhe Miranda jetojnë prej shumë vitesh në Greqi bashkë me familjet e tyre. "Fëmijët kanë tentuar disa herë të më takojnë, por ka qenë e pamundur. Katër fëmijët, djali dhe tre vajzat mbajnë mbiemra të ndryshëm nga i Bukuries dhe kjo është bërë pengesë për rreth 12 vjet me radhë, që ajo të takohet me fëmijët. "Erdhi para shtatë vjetësh djali, Romeo Kullolli të më takonte, por nuk arrita kurrë ta shikoj. Mbajtja e mbiemrit të babait të tyre është bërë shkak që nuk arrita ta takoj djalin. Gjithashtu dhe tre vajzat e mia që ditën e parë të burgut e deri sot nuk kam mundur t'i takoj".- tregon Bukurie Shkëmbi.

Pikat e lotit i rrëshqasin nga faqet, ndërsa sheh se gratë e tjera i takojnë fëmijët e tyre, ndërsa vetja i duket e braktisur. Ajo thotë se muajin maj të këtij viti, mbaron dënimi dhe dëshira e saj e vetme është që të shkojë tek i biri Romeo dhe vajzat e saj që jetojnë në Greqi. Nuk ka asnjë adresë të tyre, asnjë rrugë se ku mund t'i gjejë, një numër telefoni ndoshta do të qe shpëtimi i saj.

Dhe për të festa nuk ka kuptim. E ç'mund të bëjë një grua më 8 mars, kur s'mundet ta ndjejë veten të tillë, kur s'mundet të ndjejë ngrohtësinë e dorës së fëmijës, aromën e tij ndërsa e puth në faqe !!! Duket se shpresa i ka mbetur ndoshta tek një zë që mund të ndihmojë që zëri i saj të jetë më i qartë, më i pastër e më i fortë. "Nëse fëmijët nuk i takoj kur të dal, besoj se do të më ndihmojnë si media ashtu dhe Ministria e Jashtme që unë të bashkohem e të jetoj mes fëmijëve të mi", shprehet e emocionuar nga ditët e pakta që i kanë mbetur për t'i kaluar në qeli.

Në burg ajo preferon të punojë, duke bërë punë të ndryshme që i ofrohen aty apo mënyra të tjera që ajo mund ta ndjejë veten ende të nevojshme. Kjo duket se e ka ndihmuar të jetë jashtë, për pak momente jashtë atmosferës së hekurave të burgut, ndërsa thotë se: Burgu për mua mbaron atë ditë kur të takoj dhe të jetoj më fëmijët e mi, ashtu siç jetoja me ta para 12 vitesh".


Policia
Festa tek 325


Rreth 100 të dënuara në burgun 325 kanë festuar 8 Marsin, Ditën Ndërkombëtare të Gruas. E veçanta e festës për gratë e dënuara ishte dhe prania e fëmijëve të tyre në festë.

Edhe pse të privuara nga liria, në këtë ditë të shënuar të burgosurat kanë patur mundësi të qëndrojnë për pak kohë së bashku me fëmijët e tyre dhe të marrin dhurata nga ata. Fëmijët e ardhur nga rrethe të ndryshme të vendit patën mundësinë të takojnë dhe t'iu bëjnë dhurata nënave të tyre. Lule dhe dhurata të ndryshme, morën nga të afërmit e tyre gratë e dënuara, me rastin e festës së gruas. Kjo ishte mënyra që drejtuesit e burgut 325 kishin menduar për të festuar festën e 8 marsit. Gratë që vuajnë dënimin në burgun 325, janë bërë vetë protagonistet e festës së organizuar nga burgu, duke recituar, kënduar dhe luajtur pjesë të ndryshme teatrale.

E veçantë për ta ishte pjesëmarrja e artistes së popullit Tinka Kurti e cila përcolli tek gratë e dënuara poezi të krijuara nga vetë ajo. Vetë drejtoria e burgut 325 organizoi një ceremoni festive kushtuar grave të dënuara. I pranishëm në festën e organizuar Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve Gazmend Dibra uroj gratë e dënuara për festën e 8 marsit, ditës ndërkombëtarë të gruas. Sipas drejtuesit të burgjeve shqiptare, ndryshimet në legjislacionin shqiptare për dënimet do të sjellin që shumë femra që dënohen për krime të ndryshme, të mos kryejnë vetëm burgim në qeli, por dhe forma të tjera dënimi.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›