Ministri Alibeaj merr garanci për marrëveshjen e ekstradimeve në Itali
Mbi 50 raste shqiptarësh të dënuar, në procedurë ekzekutimi për ekstradimin drejt Shqipërisë
Ministri i Drejtësisë, z. Enkelejd Alibeaj, pati dy ditë më parë një takim me ministrin italian të Drejtësisë, z. Angelino Alfano. Gjatë këtij takimi, ministrit Alibeaj i është siguruar mbështetje për reformën në gjyqësor, si dhe garanci për ekzekutimin e shpejtë të marrëveshjes së transferimit me Italinë. Me ftesë të ministrit italian të Drejtësisë, z. Angelino Alfano, ministri i Drejtësisë, z. Enkelejd Alibeaj, kreu pati një vizitë pune të suksesshme, në të cilën mori mbështetje për reformat që qeveria shqiptare ka ndërmarrë në sistemin gjyqësor. Ministri i Drejtësisë së Italisë, z. Angelino Alfano i shprehu ministrit z. Alibeaj gatishmërinë e qeverisë italiane për të qenë zëdhënëse e qeverisë shqiptare në fushën e drejtësisë me marrjen e presidencës së G8-ës. Biseda mes dy homologëve, të vendeve tradicionalisht mike, u përqendrua në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe në fushën e drejtësisë, si dhe u shoqërua me shprehjen e angazhimit dypalësh për transferimin sa më të shpejtë të të dënuarve shqiptarë që vuajnë dënimin e tyre në Itali dhe ekstradimit të subjekteve kriminale në kërkim nga shteti italian. “Shqipëria nuk do të jetë më vendi ku strehohen persona kriminalë. Persona të çdo lloj nacionaliteti nuk do të mund të gjejnë në Shqipëri parajsën për të thyer ligjin”, - deklaroi ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, duke shprehur vullnetin politik të qeverisë shqiptare. Në kuadër të këtij vullneti, ministri deklaroi më tej se Ministria e Drejtësisë po punon dhe po jep produkte konkrete në lidhje me procesin e transferimit e të dënuarve. “Një numër i konsideruar, mbi 50 raste (të shqiptarëve që vuajnë dënimin në Itali) kanë njohur fillimin e procedimit të ekzekutimit. Ka kaluar faza e njohjes së vendimit dhe jemi thjesht vetëm në fazën e ekzekutimit të tyre. Kjo, sepse tashmë në Shqipëri ekziston mundësia, me ndërtimin e burgjeve të reja, që të mund të operojmë me transferimin e tyre nga Italia”, - deklaroi ministri Alibeaj. Më tej, në fjalën e tij, ministri u shpreh edhe për fatin e ekzekutimit të vendimeve penale italiane në Shqipëri. “Pothuajse të gjitha kërkesat e bëra nga shteti italian janë në fazën e zbatimit, vazhdojnë procedurat gjyqësore të njohjes së këtyre vendimeve, proces që po monitorohet nga Ministria e Drejtësisë, dhe që me kënaqësi po konstatojmë se pjesa më e madhe e vendimeve po ekzekutohen”. Fillimet e mira të këtij procesi janë të rëndësishme. Ato dëshmojnë jo vetëm për vullnetin e mirë të bashkëpunimit në marrëdhëniet bilaterale mes dy vendeve, por edhe një vullnet politik të padiskutueshëm të qeverisë shqiptare për të luftuar krimin e organizuar.
Ekstradimet
Nga ana e tij, ministri italian i Drejtësisë u shpreh se ishte i gatshëm për ngritjen e një grupi pune mes dy institucioneve, që do të bënte të mundur shkurtimin e procedurave të transferimit të të dënuarve shqiptarë në Itali. Propozim që u mirëprit edhe nga ministri i Drejtësisë, z. Enkelejd Alibeaj. Ministri italian i Drejtësisë u shpreh optimist për rezultatet pozitive në bashkëpunimin dypalësh, të cilat sipas tij do të rriten edhe me ratifikimi në një kohë sa më të afërt nga ana e Parlamentit italian të “Marrëveshjes Shtesë të Konventës Evropiane të Ekstradimit dhe Konventës Evropiane për ndihmë të ndërsjelltë gjyqësore në fushën penale, që synon të lehtësojë zbatimin e tyre”, miratuar tashmë nga Kuvendi i Shqipërisë. Kjo, përsa i përket ekzekutimit të vendimeve penale të gjykatës italiane dhënë ndaj këtyre shtetasve. Ministri italian i Drejtësisë, z. Angelino Alfano, mes të tjerash e falënderoi ministrin e Drejtësisë, z. Enkelejd Alibeaj për këtë shprehje vullneti të bashkëpunimit të frytshëm dypalësh, duke deklaruar se “ky vullnet përcjell mesazhin, se nuk ekzistojnë zona të lira, mes Shqipërisë dhe Italisë, zonat në të cilat mund të ushtrosh veprimtari kriminale pa pasur më vonë frikën e shlyerjes së dënimeve në të dyja vendet”. Por mes dy ministrave nuk flitet vetëm për bashkëpunim ndërgjyqësor. Ministri italian i Drejtësisë dhe ai shqiptar shkëmbyen eksperiencat e tyre dhe idetë që kanë për hapat e reformës në drejtësisë, përfshirë edhe reformën në legjislacion, sfida këto të përbashkëta mes dy vendeve. “Tashmë mes dy vendeve tona nuk mund të flitet vetëm për marrëveshje transferimi të të dënuarve, por edhe për reformat në drejtësi. Ky takim ishte momenti i një bashkëpunimi të rëndësishëm dypalësh, nga dy ministra të të njëjtit gjeneracion, të rinj dhe me shumë entuziazëm, me shumë dëshirë për të ndryshuar sistemin e drejtësisë, si në Itali dhe Shqipëri, dhe që me një vullnet shumë të madh duam të japin një sistem drejtësie më eficent ndaj qytetarëve”, - u shpreh në fund të takimit ministri italian i Drejtësisë, z. Angelino Alfano. Intensifikimi i marrëdhënieve dypalëshe në fushën e drejtësisë, si dhe shprehja e angazhimit dypalësh për forcimin e luftës kundër krimit të organizuar që vepron në të dyja anët e kufirit, reformën në gjyqësor, si dhe ndryshimet në legjislacionin vendas, përshtatur me atë evropian, ishin në qendër të bisedimeve edhe në takimin që ministri i Drejtësisë, z. Alibeaj, pati me zëvendësministrin e Brendshëm italian dhe kryetaren e Komisionit të Drejtësisë së Dhomës së Deputetëve, zonjën Giulia Bongiorno.