E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skandali i Pangos, 3 vajzat japin dëshmitë e tyre

08/03/2009  Çështja po trajtohet me seriozitet nga Prokuroria, pritet t’i hiqet imuniteti për hetime

Procedimi penal që ka filluar kryesisht ndaj ish-ministrit të Kulturës, Ylli Pango, ka bërë që Prokuroria e Përgjithshme të lëshojë disa fletë-thirrje në drejtim të tre vajzave që kanë qenë protagoniste të videos skandalit, ku ish-ministri u kap mat në tentativë për të kryer marrëdhënie seksuale me njërën nga këto vajza. Lajmi bëhet i ditur nga burime pranë organit të akuzës shqiptare, të cilat thanë se procedimi në ngarkim të Ylli Pangos është duke u trajtuar si një ngjarje mjaft serioze, pasi gjesti i ish-drejtuesit të Kulturës shqiptare është shumë i turpshëm si dhe në të njëjtën kohë pa precedent të mëparshëm. Natyra e komplikuar e kësaj ngjarje, si dhe dëshira për të hedhur sa më shumë dritë mbi të vërtetën e videoskandalit ka detyruar prokurorët e organit të akuzës të firmosin ditën e djeshme disa fletë-thirrje, ku me anën e të cilave u kërkohet të paraqiten në Prokurori, 3 “aktoret” që morën pjesë në përgjimin, filmimin dhe realizimin e bisedave me ish-ministrin e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ylli Pango. Ndërkohë që mësohet se menjëherë pas deklarimeve të tyre dhe analizimit të provave materiale që pritet të sekuestrohen gjatë procesit hetimor, radha për të dëshmuar në Prokurori lidhur me rrethanat e çështjen, do t’i mbetet Ylli Pangos. Mirëpo duke qenë se ky i fundit është deputet dhe aktualisht gëzon mbrojtje nga imuniteti, atëherë Prokuroria e Përgjithshme do t’i drejtohet Parlamentit shqiptar me një kërkesë, ku do i kërkohet heqja e imunitetit të deputetit Pango. Burime nuk konfirmuan se tashmë kjo procedurë është kryer nga ana e tyre, por theksuan se në qoftë se gjatë procesit hetimor do të ngrihen dyshime të bazuara në prova, atëherë pyetja e personin nën hetim Ylli Pango do të ishte e pashmangshme. Aktualisht grupi hetimor pranë Prokurorisë së Përgjithshme është duke verifikuar me imtësi të gjitha pamjet dhe bisedën e regjistruar nga emisioni “Fiks Fare”. Ndërkaq që pritet paraqitja e vajzave për të deklaruar në Prokurori.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›