E Diel, 1 Nëntor 2026

Bulevard i ri te Fusha e Aviacionit

Buxheti 2009 për Bashkinë e Tiranës është diskutuar dje edhe me banorët e njësisë nr.7 në kryeqytet. Kryebashkiaku Edi Rama ka theksuar, mes të tjerash, edhe investimet e reja që janë parashikuar të realizohen në këtë zonë. Në krye të listës është

rikualifikimi urban i sheshit "21 Dhjetori", i cili, sipas Ramës, do të transformohet tërësisht dhe do të kthehet në një nga pikat më të pëlqyera të qytetit. Madje, kryebashkiaku ka premtuar një tjetërsim të tillë të kësaj zone, për të cilën të rinjtë do të braktisin edhe frekuentimin e madh të bllokut.

Po kështu, do të ristrukturohen hapësirat mes pallateve, në bllokun "Partizani", e cila ka pasur një ndërhyrje të parë për infrastrukturën rrugore dhe tani do të punohet për rikualifikimin e të gjitha hapësirave të ndërmjetme. Por, buxheti i 2009-ës për njësinë nr. 7 ka edhe një tjetër surprizë ndryshimi. Fillimin e punës për të kthyer në një bulevard të ri të kryeqytetit, të gjithë segmentin e ish-Fushës së Aviacionit. "Do të jetë një bulevard i një natyre të veçantë, sepse do të jetë i gjithi me pemë, me kënde të ndryshme për të moshuarit, për fëmijët dhe me një hapësirë të gjerë këmbësorësh e që do t‘i japë një drejtim tjetër asaj lagjeje që ka marrë një zhvillim të madh, për sa u përket hapësirave të banimit dhe me siguri do të rrisë ndjeshëm vlerën e të gjithë atyre apartamenteve dhe dyqaneve", tha Rama.

Ai shtoi se "me rritjen e cilësisë së hapësirave publike në tre apo katër pika nevralgjike të njësisë nr.7, do të mund jo vetëm të transformojmë jetën e këtyre komuniteteve nga pikëpamja e cilësisë së hapësirës publike, por do të rrisim në mënyrë të ndjeshme vlerën e hapësirave të banimit, atyre tregtare dhe vlerën e jetës komunitare, duke shkuar gjithnjë e më shumë në drejtim të një qyteti që nuk është i fokusuar vetëm te një qendër, apo te një zonë rreth qendrës, por që ka në pika të ndryshme të tij, zona të cilat kanë një frekuentim edhe nga pjesë të tjera të qytetit, në kategori të ndryshme dhe mosha të ndryshme, për arsye të cilësisë së këtyre hapësirave".


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›