E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjuha shqipe dhe "analfabetët me diploma"

Problemet me gjuhën shqipe janë të shumta. Fjalët e huaja të huazuara, apo të përdorura për "modë" kanë zënë vend në të folurën e përditshme, madje edhe në gjuhën e shkruar. Emisioni "Fiks Fare" për të dytën ditë radhazi ngriti këtë shqetësim, duke sjellë rastet e tabelave të shkruara në gjuhën shqipe, por jo drejt, emërtime në gjuhë të huaj, si edhe rastet e atyre që janë në krye të drejtimit të shtetit, të institucioneve të rëndësishme. Shqetësuese janë edhe rastet e gjuhës së folur nga deputetët, prej të cilëve formulohen ligjet e varen fatet tona. Fjalori i politikanëve është një shqetësim i madh edhe për studiuesit. Profesor Gjovalin Shkurtaj shqetësimin e tij e ka shprehur edhe në një intervistë për këtë problem në emisionin "Fiks Fare". Shkurtaj shprehet se për gjuhën shqipe është tepër vonë. Një ligj i Këshillit të Ministrave ka qenë që në vitin 1974, i cili porosiste dhe urdhëronte të zbatohej drejtshkrimi i njësuar në të gjitha praktikat shkrimore dhe botuese. Ai vendim nuk është hedhur poshtë, por ndërkohë është pak i tejkaluar dhe shteti ynë duhet ta ridiskutojë problemin e gjuhës shqipe sa më shpejt.

Gjuha shqipe ndjek gjithmonë rrugën e shoqërisë shqiptare, problemet që kanë pasur shqiptarët në jetë janë pasqyruar në gjuhën shqipe. Ka tituj librash që shkruhen me gabime, edhe pse ata që e kanë shkruar mund të jenë universitarë, mund të kenë grada e tituj dhe bëjnë gabime që në titull të librave, kjo është e pafalshme.

Shkurtaj shprehet se "ne edhe më tej do të marrim fjalë të huaja, terma të domosdoshëm, por kjo nuk do të thotë që të mbyllim sytë e çdo fjalë e huaj të na dali si në shqip. Del teoria, nuk më kujtohet se çdo të thotë fjala ‘implementim‘, (në anglisht "to implement") dhe ne pastaj themi: unë implementoj, ti implementon…. Të hap fjalorin, është detyra e parë e çdo njeriu me shkollë. Faik Konica, sovrani i letërsisë shqipe thoshte: ‘analfabetë me diplomë‘".

Shteti ynë del shpesh i padisiplinuar. Ka botime, shprehet prof. Shkurtaj, që kanë vetëm emrin e autorit. Në to nuk është as emri i korrektorit, as emri i redaktorit, as emri i recensuesit.

Prof. Shkurtaj shpreh një konsideratë dhe një përshëndetje të veçantë për Sajmirin dhe Doktorin e emisionit "Fiks Fare". Nga ana e tij vlerësohet puna e "Fiksit", me monitorimet, me nxjerrjen shpesh edhe të folësve të ndryshëm që lexojnë si analfabetë e me gabime të trasha. Shkurtaj sjell edhe një thënie: "Ai që është i mirë këndon me lahutë me fjalë të mira, ai që nuk di të flasë e nxjerrin në bisht të lahutës".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›