E Diel, 1 Nëntor 2026

Tërmetet, nis studimi i qendrës së Tiranës

Tërmetet trembin kryeqytetin shqiptar, në truallin e të cilit qëndrojnë si shtëpitë përdhese të ndërtuara pa asnjë projekt ashtu edhe pallatet, ku më i larti arrin në 23 kate. Bashkia e Tiranës, institucioni që qëndron në krye të procesit të dhënies së lejeve të ndërtimit, mbetet edhe përgjegjësi kryesor në rast të një katastrofe shkatërruese, qoftë kjo edhe e iniciuar nga një fenomen natyror si tërmeti.

Aktualisht, ekziston një studim sizmologjik për qendrën e Tiranës që daton që prej 1988-ës. Ndaj, nevoja për një studim të ripërtërirë duket se i ka shtyrë drejtuesit aktualë të pushtetit vendor kryeqytetas që të porosisin një tjetër studim sizmologjik. Një lajm i tillë konfirmohet nga përfaqësues të bashkisë, të cilët shprehen se "përherë e më tepër po ndeshemi me nevojën e paraqitjes së rezultateve të studimeve të sizmologjisë inxhinierike në formën e parametrave fizikë të lëkundjes së tokës, të tillë si nxitimi, shpejtësia dhe zhvendosja e truallit gjatë lëkundjeve tërmetore, në vend të formës klasike të paraqitjes së rrezikut sizmik me anë të shkallës së ballëve".

Sipas tyre, qendra e Tiranës është përfshirë në një studim të hollësishëm shkencor, inxhiniero-sizmologjik, i konsideruar si mjaft i rëndësishëm edhe me fillimin e punimeve për rikonstruksionin e plotë të tij, në përputhje me projektin e ri fitues. Përfaqësuesit e vendorëve kryeqytetas sqarojnë se studimi është i vlefshëm për objekte të zakonshme deri në 8 kate, ndërkohë që për objekte të tjera duhen kryer studime të posaçme të rrezikut sizmik, në përputhje me kërkesat e Ligjit të Urbanistikës.

Në formulimin e këtij studimi është shfrytëzuar përvoja e fituar gjatë hartimit të studimeve të rrezikut sizmik të shesheve të ndërtimit të objekteve të banimit me lartësi të madhe mbi 8 kate, që realizohen nga Instituti i Sizmologjisë, në zbatim të Ligjit të Urbanistikës, si dhe arritjet më të fundit të studimeve të rrezikut sizmik në nivel kombëtar, rajonal dhe lokal, që Instituti i Sizmologjisë ka realizuar kohët e fundit. Në këtë studim trajtohen shkencërisht tema të tilla si kuadri gjeologjik i qytetit të Tiranës, aktiviteti dhe rreziku sizmik i qytetit, kushtet gjeologo-inxhinierike dhe gjeoteknike të qendrës së kryeqytetit, rreziku sizmik i qendrës së tij, sipas parametrave fizikë të lëkundjeve të forta të truallit, reagimi dinamik i truallit të qendrës së Tiranës.

Vite më parë, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, ka deklaruar se në kryeqytet nuk do të lejoheshin ndërtime pallatesh më të larta sesa 9 kate, nisur edhe nga parametrat gjeodezikë të nëntokës kryeqytetase.

Studimi sizmologjik ende në fuqi është ai i 1988-ës i përgatitur nga Instituti i Sizmologjisë në Akademinë e Shkencave. Por, sipas specialistëve, që prej vitit 1988, kur u realizua ky studim i mikrozonimit sizmik të qytetit të Tiranës, konceptet mbi rrezikun sizmik dhe mënyrat e paraqitjes së tij kanë ndryshuar shumë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›