E Diel, 1 Nëntor 2026

Lezhë, në pallatin e ëndrrave të prishura

Gdhihen e ngrysen çdo ditë, për vite me radhë, nën frikën e shkërmoqjes së pallatit, në të cilin jetojnë. Janë dhjetëra familjarë të pallatit nr.16, në lagjen "Skënderbeg" të Lezhës, që jetojnë me rrezikun e shembjes së pallatit të tyre, i cili prej shumë vitesh është deklaruar i pabanueshëm. Rrezikojnë kokën, po s‘mund të qëndrojnë në qiell të hapur. Çdo çast rrojnë me rrezikun, lagështirën që të mbush mushkëritë, ndërsa disa dhoma të apartamenteve të vogla janë përmbytur nga ujërat e pusetave të bllokuara, që nga koha kur aty pranë funksiononte fabrika e salcës. Ekspertët e kanë vlerësuar si të pabanueshëm dhe në rrezik shembjeje pallatin që në vitet ‘70 u njoh në Lezhë me emrin pallati i beqarëve. Bashkia u ka kërkuar banorëve të largohen sa më parë nga pallati i rrezikuar, po në asnjë rast nuk u ka dhënë rrugëzgjidhje për strehimin e tyre. Madje, në fund të verës së këtij viti, para se tragjedia e Gjirokastrës të ndodhte, kryebashkiaku i Lezhës, Viktor Tushaj, u ka drejtuar nga një shkresë të gjithë kryefamiljarëve që jetojnë në këtë pallat. Në shkresën zyrtare kërkohet që familjet duhet të lirojnë menjëherë pallatin, si objekt me rrezik shembjeje dhe me pasoja për jetën. Madje, familjarëve u theksohet se çdo vonesë apo tendencë për mos zbatimin e urdhrit për lirimin e objektit nga banorët e ligjshëm dhe ata që jetojnë me qira, do i ngarkojë ata me përgjegjësi të rëndë. Një kërcënim absurd ky i titullarit të bashkisë, ndërkohë që jeta e të paktën 50 personave është në rrezik. "Jemi 13 familje, banorë të ligjshëm të këtij pallati, po një pjesë e tyre e kanë dhënë me qira te familje të tjera të pastreha dhe numri i familjeve, që banojnë aktualisht në pallat, është 16. Jetojmë me kokën në torbë, ndërsa bashkia me shkresën që na ka sjellë duket se ka larë duart, pa na dhënë asnjë mundësi tjetër për strehim", thotë Lida, banore e këtij pallati. Ajo jeton vetë i pestë në një prej apartamenteve të tij dhe shprehet se, që në vitet ‘80 pallati, qe deklaruar si i pabanueshëm. Ndryshimet e sistemeve e lanë në harresë pallatin dhe banorët e tij, ndërsa objekti rrënohet gjithnjë e më shumë. Pallati dykatësh i ndërtuar në vitin 1953 ka shërbyer më parë si zyra, çerdhe e kopsht për fëmijët dhe më pas si godinë banimi. Që nga 20 gushti i këtij viti, kur kryetari i Bashkisë së Lezhës ka njoftuar kryefamiljarët për lirim të pallatit nr.16, asnjë nuk ka lëvizur prej andej. Hyjria, një tjetër banore e tij, thotë për gazetën se s‘kanë ku të shkojnë. "Në rast se vazhdojmë të jetojmë këtu është sepse nuk kemi ku të shkojmë. Për këtë pallat ka pasur edhe fonde. Ne e dimë këtë, po nuk dimë ku kanë përfunduar", thotë Hyjria, një qiraxheshë e revoltuar. Bëjnë një gjumë të prishur. Në ëndrrat e fëmijëve, pallati shpesh shfaqet si gogoli, që mund t‘u marrë jetën atyre dhe prindërve. "Në Gjirokastër vdiqën 3, do të vdesim edhe ne këtu. Bashkia dhe shteti e njohin shumë mirë situatën tonë, po s‘ndërhyjnë", thotë një tjetër banor i pallatit. Duke parashikuar tragjedinë e mundshme, administrata bashkiake dhe kryetari Viktor Tushaj në shkresat paralajmëruese, që mbajnë firmën e tij, vërejnë: "Nga bashkia është treguar interesim i vazhdueshëm për gjendjen teknike të pallatit nr.16 lagja "Skënderbeg", me qëllim shmangien e emergjencave me rrezikshmëri jetën e banorëve të tij. Nga ekspertiza e fundit, që është bërë nga një grup pune i ngritur enkas për konstatimin e gjendjes teknike të pallatit dhe asaj mjedisore për banorët e tij, rezulton se ai është i pabanueshëm dhe me rrezik shembjeje. Alarmi është dhënë edhe zyrtarisht, po bashkia, institucioni lokal që urdhëron daljen në rrugë të banorëve, nuk u ofron asnjë mundësi strehimi. "Të paktën kokat shëndoshë, po ku t‘i fusim?!". Askush nuk u ka dhënë një përgjigje, ndërsa gra, burra e fëmijë jetojnë me frikën e rrënimit të mureve dhe zënies së tyre nën to. Ndryshe nga kryebashkiaku i Gjirokastrës, ai i Lezhës ndjehet më komod, pasi paralajmërimin e ka bërë. Madje, u ka ngecur në derë jo vetëm gjëmën, po dhe përgjegjësinë që duhet të mbajnë për të në rast se ndodh.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›