E Diel, 1 Nëntor 2026

"Bulevardi", Berisha njihet me projektet: Ky proces jetik për Tiranën

Kryeministri Berisha ka vizituar sot Muzeun Kombëtar ku është njohur nga afër me dy projektet për zgjatimin e bulevardit dhe lumin e Tiranës. Shefi i qeverisë i shoqëruar edhe nga kryebashkiaku Lulzim Basha ka marrë informacione më të detajuara në lidhje me dy projektet, ku njëri prej tyre pritet të marrë miratimin e qytetarëve për të nisur ndërtimin e Bulevardit të Tiranës.

Në fjalën e tij kryeministri Berisha theksoi se ky process është i një rëndësie historike dhe jetike për Tiranën. “Ky proces është i një rëndësie historike, i një rëndësie jetike për Tiranën dhe qytetarët e saj por edhe për të gjithë shqiptarët pasi për ta Tirana është zemra, ëndrra më e bukur e shqiptarëve që në vitet e para të jetës së tyre. Shfytëzoj rastin të përshëndes bashkinë, kryetarin e saj, të gjithë ata që në një kohë rekort bënë që të zbarkojnë këtu studiot urbanistike ndër më të njohurat e botës dhe të vijnë këtu me projekte në të cilat problem më kryesor është vështirësia e përzgjedhjes” ka theksuar Berisha. Sipas tij urbanistë të reputacionit botëror kanë dhënë përgjigjet më të shkëlqyera, më të qëndrueshme me planin e tyre të ri, me projektin e tyre për Tiranën e shekullit të 21. 

Kreu i qeverisë theksoi më tej se Tiranës gjatë këtyre viteve i janë shkatërruar vlerat arkitekturore, urbanistike duke rikujtuar edhe shkatërrimin e pazarit të Tiranës. "Nuk mund të injorohet që pazari i vjetër i Tiranës që për mua është më tërheqësi, më i bukuri se çdo lagje që kam vizituar në vendet perëndimore. Në vend të tij u ndërtua një pallat dhe ndërtesa të tjera por ajo që na jep shumë shpresë janë këto projekte sepse ne shohim Tiranën e shekullit që jetojm. Çdo qytetar ka të drejtë të ëndërrojë dhe të kërkojë në Shqipëri një nga metropolot më të zhvilluara të rajonit, simotër e metropoleve të mëdha europiane dhe ky përban një zhvillim historik” shtoi më tej Berisha.

Ndërsa ka vlerësuar punën e bërë nga Bashkia e Tiranës për zhvillimin e kryeqytetit, kryeministri Berisha sulmoi edhe ish-kreun e bashkisë Edi Rama që sipas tij gjatë 8 vjetëve në këtë institucion e betonizoi kryeqytetin. “Ky ekip i ri që qytetarët votuan në një hark kohor të shkurtër me një përkushtim ia dolën të sjellin këtë zhvillim madhor dhe u deshën gjithsej disa muaj dhe nuk u deshën 8 vjet. Dhe kjo jo se Tirana nuk kishte urbansitë, arkitektë, jo kishte shumë por sepse babëzia boshtëzoi gjithçka tek betoni dhe leja e ndërtimit. Kjo është e vërteta. Leje pas leje beton pas betoni Tirana u shndërrua në një qytet që po humbiste frymëmarrjen e saj. Sot ne të gjithë e shohim një dimension i cili i lejon Tiranës atë gjelbërim që ka tek Kodrat e Liqenit. Komplesi nga kodrat e Liqenit tek kodrat e Paskuqanit do të jetë nga më të bukurit, më të gjelbëruarit, më funksionalit. Bulevardi, lumi dhe parqet do të jetë një projekt i cili do të realizohet në një kohë më të shkrtër ndërsa pjesët e tjera do të marrin zhvilimin e vet” ka theksuar më tej Berisha.

Kreu i qeverisë e ka mbyllur fjalimin e tij me një batutë për kreun e opozitës Edi Rama : “Nderim për qytetarët e Tiranës të cilët më 8 maj u ndanë nga blloku dhe bllokimi, u ndanë tani ish-kryetari Rama. Tani ish kryetari do të ketë parqe të panumërta të bëjë ciu ci nga mëngjesi deri në dark. Tani edhe në moshë dixhitale e sollëm”

Projektet që prej ditës së djeshme janë të ekspozuara për të gjithë qytetarët e Tiranës, të cilët nëpërmjet një formulari do të mund të shprehin të gjitha vërejtjet, sugjerimit apo pyetjet që mund të kenë në adresë të këtyre projekteve.  Ndërkohë pas kësaj faze, Bashkia e Tiranës ka parashikuar një tur për të prezantuar projektet me grupet e interesit, si shoqatat e atkitektëve, ndërtuesit, median, studentët e arkitekturës apo institucione të tjera.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›