E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bulevardi Vlorë Skelë kthehet në kantier ndërtimi, vështirësohet qarkullimi

>Bulevardi Vlorë Skelë është kthyer në kantier ndërtimi. Një firmë ndërtimi që kanë fituar tenderin për ndërtimin e tubave të ujësjellësit të ri të qytetit, mendohet të përfundojë punimet këtë vit duke bërë përfundimisht furnizimin me ujë të pijshëm 24 orë për qytetin. Mirëpo ky ndërtim ka kosto shumë të rëndë. Jo në financimin e tij sepse ai është një financim i qeverisë holandeze prej 26 milionë eurosh, por kosto aktuale për qytetarët vlonjatë dhe sidomos për ata që disponojnë një makinë. Të kalosh sot me një mjet qarkullimi nga qendra e qytetit në Skelë, të duhen të paktën 20 minuta. Kjo sepse në disa segmente të këtij bulevardi po punojnë makineritë e rënda të firmës. Por deri këtu nuk ka asgjë të mbrapshtë, pasi po punohet për shtrimin e tubacioneve të ujësjellësit të qytetit, gjë që u nevojitet të gjithëve. Mirëpo, ajo që përbën shqetësim në këtë rast, ka të bëjë me mënyrën e shtrirjes së këtyre tubave. Pak ditë më parë u hap në njërin krah, në të djathtë të bulevardit, një kanal jo i vogël që shërbeu për shtrirjen e tubave të njërit drejtim të ujësjellësit. Ndërkohë që pasi ky kanal u mbulua vetëm me një shtresë zhavorri, ka filluar këto ditë hapja e një kanali më të madh në krahun e majtë të bulevardit ku po punojnë të njëjtat mjete, për llogari të të njëjtës firmë dhe për të njëjtin qëllim, shtrirjen e tubacioneve të ujësjellësit. Gjatë një interesimi të bërë nga gazeta jonë mësuam se në njërin krah shtrohen tubacionet kryesore, ndërkohë që në krahun tjetër shtrohen tubacionet që do të shpërndajnë ujin nëpër lagjet e ndryshme. Kjo logjikë ndërtimi, sipas disa specialistëve të vjetër të ujësjellësit tashmë në pension, por që për arsye të ndryshme nuk duan të identifikohen, është jo vetëm ekonomikisht e gabuar por dëmton edhe vetë bulevardin. Sipas këtyre specialistëve, fare mirë tubacionet e vogla mund të shtroheshin bashkë me atë kryesorin, sepse bashkë ata nuk injektohen sepse janë thjeshtë tubacione plastike, ndërkohë që kalimi i ujit në lagjet në krahun tjetër të bulevardit fare lehtë mund të bëhej me kanale të vegjël pingul me kanalin kryesor. Kjo mënyrë do të kërkonte kohë më të paktë në punë, hapjen vetëm të një kanali në bulevardin kryesor, që përkthehet më pak pengesë për kalimin aktual dhe po ashtu dëmtim më të paktë të këtij bulevardi që vazhdon të jetë arteria kryesore e qarkullimit në hyrje dalje të qytetit, përderisa nuk ka mbaruar rruga transballkanike. Përveç këtyre problemeve, shqetësim në këto hapje mbyllje kanalesh ngelet edhe një kujdes i paktë i sigurimit teknik. Nëse në këtë bulevard janë hapur tre sektorë punimesh, në vetëm njërin prej tyre shikon rrethim me shirita vendin ku punohet ndërkohë, që në të tjerët nuk ka asnjë rrethim dhe makinat që janë të shumta gati në gjithë ditën, kanë rrezik të përplasen me njëra tjetrën. Shqetësim kanë edhe autobusët urbanë që vazhdojnë të kalojnë këtu dhe tashmë për ta nuk ka një orar të garantuar nga njëri stacion në tjetrin. Përveç kësaj, aktualisht i gjithë bulevardi është mbushur nga balta që del pas hapjes së kanalit dhe nga mbeturinat e zhavorrit që bien nga makinat, të cilat e sjellin atë për mbulimin e kanalit. Kështu, qytetarët vlonjatë janë në dyzimin e gëzimit të hapjes së ujësjellësit dhe në zemërimin e kësaj rrëmuje ndoshta të pastudiuar që ka këto ditë bulevardi.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›