E Diel, 1 Nëntor 2026

Durrës, arsimi publik pre e zyrtarëve të ministrisë, ofrojnë shkollat e tyre private

>Dega e PS-së, denoncon abuzimet në mbylljen e shkollës me korrespondencë dhe çeljen e saj private
Dega e Partisë Socialiste në Durrës ka denoncuar një skandal unikal në gjithë historinë e shkollës shqipe, një skandal ku sipas koordinatorit të arsimit të kësaj partie në Durrës, Eduard Prenga janë të përfshirë edhe drejtuesit më të lartë të Drejtorisë Arsimore Durrës dhe të Ministrisë së Arsimit. PS-ja ka denoncuar mbylljen korruptive të dyerve të shkollave publike, për të ushqyer ato të shkollave private me qëllim përfitimin personal. Pas ndërrimit të sistemit arsimor nga 8- vjeçar në 9- vjeçar, qindra nxënës që kishin mbaruar klasën e 8- të para 2008- ës mbetën rrugëve. Në pamundësi për të ndjekur vitin e parë të gjimnazit në shkolla publike me kohë të plotë, ata iu drejtuan dyerve të drejtorisë arsimore për të vazhduar gjimnazin me korrespondencë, ku morën një përgjigje edhe më skandaloze: Mbyllje e gjimnazeve publike me korrespondencë. Për të mbushur këtë hapësirë, kaq bujarisht të krijuar nga Ministria Arsimit, në Durrës, në periferi të fshatit Shkallnur të komunës Rrashbull, aty ku qeveria Berisha nuk është interesuar ndonjëherë nëse klasat kanë dyer e dritare, aty ku mbi 20.000 banorë nuk kanë një shkollë të mesme publike, dhe ku premtimi i internetit për çdo klasë është veçse një përrallë, është licencuar shkolla e mesme private me korrespondencë, e vetmja në gjithë Shqipërinë, ku të gjithë ata nxënës që MASH-i i la rrugëve, kanë mundësi të regjistrohen me korrespondencë duke paguar tarifën 60.000 lekë të rinj në vit.
Shkolla private
Shkolla "Talenti" me jo më shumë se 30 nxënës nga klasa e parë deri në klasën e 12-të në sistemin me kohë të plotë, ka talentin e vetëm të zhvasë xhepat e shqiptarëve duke përfituar në mënyrë kolosale e të pandershme nga shitja e diplomave nxënësve të cilëve MASH-i iu mbylli dyert e shkollave publike. Sipas burimeve nga DAR- i, mesatarja e nxënësve që regjistrohen në gjimnaze me korrespondencë është 300-350 vetëm në vitin e parë dhe vetëm nga qarku i Durrësit, që me tarifën 60.000 lekë të reja në vit sjellin një përfitim 18-21.000.000 lekë të rinj vetëm për vitin e parë, dhe nuk po llogarisim klasat më të larta! Fakti që drejtues të kësaj shkolle janë dy inspektorë të Drejtorisë arsimore Durrës, në konflikt të hapur interesi, pasi paguhen nga taksapaguesit shqiptarë për të kontrolluar cilësinë e mësimdhënies në këto shkolla, është tregues i qartë se korrupsioni ka hyrë thellë në damarët e kësaj qeverie. Prej disa vitesh shkolla e mesme pa shkëputje nga puna është keqmenaxhuar në mënyrë të qëllimtë. Vitin e kaluar mësimor, nga 260 nxënës të regjistruar në klasën e parë kaluan vetëm 5 prej tyre, ndërkohë që nxënësit flasin se është abuzuar rëndë me testet. DAR-i ka deklaruar se këtë vit shkollor nuk do të ketë klasë të parë në korrespondencë. Një lajm i tillë është shfrytëzuar nga privati që ka nxitur të hapë dyert e shkollës me kohë të shkurtuar. "Më mirë në shkollë private. Atje të marrin lekun por të japin diplomën", është shprehur një nxënës i shkollës me kohë të shkurtuar.  

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›